Aktualitet
Arrestohet i riu, vinte baste sportive në kompjuter
Një 29-vjeçar u vu në prangat e policisë së Tiranës në operacionin e koduar “Pages”, pasi ushtronte veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit, në lokalin e tij. Arrestimi i të riut me iniciale M. T., është bërë në rrugën ‘Besim Alla’ ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një kompjuter dhe një aparat celular.
“Gjatë këtij operacioni, është ushtruar kontroll në një lokal, në rrugën “Besim Alla” ku u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një kompjuter dhe një aparat celular, në të cilët ishin të hapura faqe bastesh sportive. Në përfundim të veprimeve për këtë rast u arrestua në flagrancë pronari i lokalit, shtetasi M. T., 29 vjeç, dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin K. V., 20 vjeç, punonjës në këtë lokal. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan kompjuteri dhe aparati celular”, tha Policia.
I riu do të përballet me akuzën për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.