Aktualitet
Dialogu Kosovë-Serbi, Borrell: Kurtin dhe Vuçiç i ftoj në Bruksel
Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha të enjten se pret të organizojë së shpejti një takim të nivelit të lartë politikë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të diskutuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre sipas propozimit evropian, që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.
Ai i bëri këto komente para fillimit të takimit të udhëheqësve të vendeve të Bashkimit Evropian të cilëve tha se do t’u raportojë për procesin.
Në fund të takimit dy ditësh, udhëheqësit e vendeve të BE-së pritet të miratojnë përfundime rreth procesit të bisedimeve Kosovë – Serbi dhe propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Muajin e kaluar, të dërguarit e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës dhe Italisë u takuan me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë për t’i bindur që të nënshkruajnë një marrëveshje mbi atë propozim, që nuk përfshin njohjen e ndërsjellë, por përkushtimin e palëve për të mos penguar njëra tjetrën në proceset integruese.
Diplomatët thanë se palët duhet të deklarojnë deri në mars nëse pranojnë propozimin e tyre për të normalizuar marrëdhëniet ose do të përballen me pasoja. Kosova dhe Serbia thanë se e pranojnë propozimin evropian.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç një javë më parë raportoi në parlamentin serb për bisedimet me Kosovën, duke vënë theksin te pasojat me të cilat do të përballet vendi i tij nëse refuzon propozimin evropian. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se e pranon propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, me gjithë shqetësimet rreth trysnisë perëndimore për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe./VOA