Connect with us

Kronike

Do shiste beben për 5 mijë euro, babai ‘shfajëson’ veten: Isha…

Embrah Nuredini është babai nga Elbasani dhe me banim në Durrës i cili u arrestua pasi u filmua duke negociuar për të shitur foshnjën që do t’u lindte kundrejt pagesës prej 5 mijë eurosh. Prokurorja Anila Bebeçi kërkoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Nuredinin.

Ndërkohë ky i fundit mohoi akuzën e bërë, duke thënë se nuk do të shiste fëmijën e tij pasi ai ka dhe 5 fëmijë të tjerë për të cilët kujdeset. Para trupës gjykuese Nuredini u paraqit pa avokat mbrojtës pasi situata e tij ekonomiko-financiare nuk ia mundëson. Edhe avokatja e caktuar kryesisht mbrojti klientin e saj duke deklaruar se vepra penale nuk është kryer dhe kërkoi arrest shtëpie, bazuar dhe në rolin e Nuredinit si i vetmi që siguron ushqim për familjen përmes mbledhjes së kanaçeve.

”Dua të shkoj te fëmijët dhe nuk e di si e kanë bërë këtë. Atë ditë kam qenë i pirë. Unë jam i vetmi që e mbaj familjen me ushqim. Mbledh kanaçe. I dua fëmijët”– tha para gjykatës babai që vuri në shitje fëmijën e tij.

Gjyqtari theksoi se ligji parashikon burgim nga 10-20 vjet për “Trafikim të të miturve”, pasi vepra penale ka rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe ndaj e la në masën e sigurisë “arrest në burg”. Teksa Nuredini është arrestuar, nën hetim është edhe gruaja e tij shtatzënë e cila ishte në dijeni të asaj çfarë do të bënte bashkëshorti me fëmijën që ende nuk ka ardhur në jetë.

Advertisement