Politike
Berisha: Zjarrfikësit nuk kanë marrë asnjë lek shtesë, mosmirënjohje
Në një bashkëbisedim me gazetarët, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi qeverinë për indiferencë ndaj situatës së zjarreve në vend dhe kritikoi mënyrën e trajtimit të zjarrfikësve.
Berisha u ndal gjithashtu te protestat opozitare, duke deklaruar se ato do të vijojnë dhe se vjeshta do të jetë, sipas tij, “vjeshta e lirisë”.
“Java ishte javë e zjarreve, e dhjetëra e dhjetëra zjarreve të shumta, të cilat kërcënuan jo në një, por në disa zona të banuara të vendit banesa dhe jetën e qytetarëve.
Përballë këtyre zjarreve, narkoqeveria vazhdonte vakancat. Edi Rama dhe ministrat e tij rreziteshin në diell, duke luajtur kumar dhe në indiferencë të plotë të kësaj që ndodh.
Prej mbi 2 javësh, me dhjetëra e qindra punonjës heroikë të zjarrfikësve dhe të tjerë janë përballur me guxim me zjarret në katër anët e vendit. Asnjë qindarkë shtesë gjer sot nuk kanë marrë, përveç mashtrimeve të Edi Ramës. Pamjet e ushqimit të tyre janë mjerim.
Është një injorim, një mosmirënjohje e thellë, e turpshme për sakrificën dhe djersën që derdhin, rrezikun me të cilin përballen këta burra, por edhe qytetarët. Ndërkohë, protesta rinore qytetare, uragani i lirisë vazhdon i pamposhtur.
Ka dështuar me turp e gjithë përpjekja e Edi Ramës për ta përçarë, të gjitha format e përdorura për kërcënim, miklim, etj., ndaj tyre. Ajo protestë është sot zëri i Shqipërisë në Evropë dhe në botë. Pavarësisht nga indiferenca kriminale që qeveria dhe Edi Rama dëshmojnë ndaj saj.
Pavarësisht nga metodat e terrorizmit politik dhe psikologjik që përdoren ndaj protestuesve, asgjë nuk do ndalë uraganin e lirisë pa triumfuar. Vjeshta është vjeshta e shqiptarëve, është vjeshta e lirisë, është vjeshta në të cilën qytetarët marrin në dorë fatin e tyre.
Ndaj dhe ftoj çdo demokrate e demokrat të marrë pjesë në protestë, të mbështesë protestën me pjesëmarrjen e tij ose të saj, si një kontribut historik për vendin, si një kontribut historik për të ardhmen e Shqipërisë”, tha Berisha.