Lifestyle
Një miliard të rinj rrezikojnë të humbasin dëgjimin
Sipas një studimi nga një ekip ndërkombëtar me të rinj të moshave 12-34 vjeç përsa i përket dëgjimit, parashikohet se më shumë se 1 miliard adoleshent dhe të rinj janë të rrezikuar të humbasin dëgjimin për shkak të përdorimit të kufjeve dhe pjesëmarrjes në vende me muzikë me zë të lartë. Një ekip ndërkombëtar studiuesish vlerësojnë se 24% e 12-34-vjeçarëve po dëgjojnë muzikë në pajisjet personale të dëgjimit në një “nivel të pasigurt”. Rezultatet u botuan në revistën BMJ Global Health .
Ata u bënë thirrje qeverive që të zbatojnë “urgjentisht” politikat e dëgjimit të sigurt.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerëson se më shumë se 430 milionë njerëz të të gjitha moshave në mbarë botën aktualisht kanë humbje të dëgjimit me aftësi të kufizuara. Të rinjtë janë veçanërisht të pambrojtur për shkak të përdorimit të pajisjeve personale të dëgjimit (PLD), të tilla si telefonat inteligjentë, kufjet, qëndrimi në vende me muzikë të lartë etj.
“Rastet e përsëritura të dëgjimit të pasigurt, pra të dëgjimit të një kënge më zë ta lartë mund të shkaktojnë dëmtime fiziologjike në sistemin e dëgjimit, duke u paraqitur si “zhurma” në vesh. Madje, sipas studiuesve nëse jemi në një ambient të qetë, për shembull në dhomën e gjumit dhe nëse para se të flemë duke sikur dëgjojmë zhurma në vesh, kjo do të thotë që duhet të shqetësohemi për nivelin e lartë të zhurmave që dëgjojmë gjatë ditës”, shkruhet në artikull.
Këshilla e tyre është të qëndrojmë në vende më të qeta dhe të dëgjojmë muzikë me një nivel të ulët deri në mesatar të zërit.
“Dëmi nga dëgjimi i pasigurt mund të përkeqësohet gjatë gjithë jetës dhe ekspozimi ndaj zhurmës më herët në jetë mund t’i bëjë individët më të prekshëm ndaj humbjes së dëgjimit të lidhur me moshën.”, kanë thënë studiuesit.
Studiuesit, të udhëhequr nga akademikë në Universitetin e Karolinës së Jugut në SHBA, ekzaminuan studimet e mëparshme mbi pajisjet personale të dëgjimit dhe ambientet e muzikës me zë të lartë që u zhvilluan midis 2000 dhe 2021. Tridhjetë e tre studime që përfshinin pak më shumë se 19,000 njerëz u përfshinë në analizë.
Autorët vlerësuan se 23% e të rriturve të studiuar dhe 27% e “të miturve” ishin të ekspozuar ndaj zhurmës së tepërt nga pajisjet personale të dëgjimit.
Ata parashikuan gjithashtu se 48% e njerëzve të moshës 12 deri në 34 vjeç në mbarë botën janë të ekspozuar ndaj zhurmës së tepërt në ambientet e muzikës me zë të lartë si klubet ose baret, por paralajmëruan se kishte “siguri të kufizuar” në vlerësim. Bazuar në këto shifra, studiuesit vlerësojnë se numri global i adoleshentëve dhe të rinjve që mund të rrezikohen nga humbja e dëgjimit si rezultat varion nga 0.67 miliardë në 1.35 miliardë.