Kosova
Njohja e Kosovës/ Reagimi i pesë vendeve të BE-së
Rruga integruese e Kosovës drejt Bashkimit Evropian është e lidhur ngushtë me qëndrimin e pesë shteteve anëtare të BE-së të cilat vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.
Të gjitha këto shtete e kanë konfirmuar zyrtarisht se qëndrimi i tyre varet në masë të madhe nga arritja e një marrëveshje për normalizim të raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë ende s’ka ndonjë ndryshim të ndjeshëm të qëndrimeve edhe përkundër faktit se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për propozimin frako-gjerman në takimin e 27 shkurtit në Bruksel.
Spanja, Sllovakia, Greqia, Rumania dhe Qipro duket se po presin takimin e 18 marsit në Ohër ku edhe pritet që të arrihet një marrëveshje.
Por çfarë kanë thënë deri tani shtetet mosnjohëse pas pajtimit në Bruksel për planin franko-gjerman. Spanja ka ripërsëritur qëndrimin e saj për mos-njohjen e Kosovës si shtet, teksa dhe ka bërë thirrje që palët ta shfrytëzojnë momentumin për arritjen e një marrëveshjeje.
Edhe Sllovakia pret arritjen e marrëveshjes për të treguar më pas se si do të pozicionohet për çështjen e pavarësisë së Kosovës.
Qëndrim të njëjtë si Spanja dhe Sllovakia ka edhe Rumania. Bukureshti zyrtar ka vlerësuar përparimin që është bërë nga takimi i 27 shkurtit në Bruksel, megjithatë ripërsërit faktin se Rumania vazhdon të mos e njohë Kosovën si shtet të pavarur.
Nga Greqia ka pasur sinjale pozitive pas arritjes së pajtimit të 27 shkurtit në Bruksel për planin franko-gjerman. Ish-kryediplomati grek, Papandreou ka thënë se progresi i bërë në kuadër të dialogut është një zhvillim pozitiv për ndërtimin e besimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.