Kosova
Kosovë-Serbi/ Akuza nga Beogradi: Po armatoset Veriu
Kryetari i Komisionit për Kosovë i Kuvendit të Serbisë, Milovan Drecun, ka pretenduar se terrori i njësiteve speciale parapolicore të Prishtinës ndaj serbëve në Kosovë, veçanërisht ndaj fëmijëve, po intensifikohet në një tjetër paraqitje propagandistike.
“Terrori ka për qëllim kryesisht serbët në veri të Kosovës, por gjithnjë e më shumë po u drejtohet fëmijëve, gjë që është shqetësuese”- raporton RTV
Ai pretendon se Prishtina dëshiron të militarizojë veriun e Kosovës, duke refuzuar formimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe duke formuar një ushtri që trajnohet në vendet e NATO-s.
“Prishtina synon të bëjë militarizimin e plotë të veriut të Kosovës dhe Metohisë, gjegjësisht të pushtojë veriun, jo vetëm me njësitë speciale parapolicore por edhe me të ashtuquajturën ushtri”- tha Drecun.
Ai gjithashtu shtoi se Prishtina ka sjellje te paparashikueshme, dhe sipas vlerësimit të tij mund të ndodhë që terrori ndaj serbëve të intensifikohet para zgjedhjeve në veri apo para festave të ardhshme.
Drecun u shpreh se Beogradi dëshiron të stabilizojë situatën e popullit serb në Kosovë, që sipas tij Prishtina vazhdimisht e destabilizon dhe ngacmon, por ai thotë se ajo ‘’fluskë’’ do të ‘’shpërthejë’’, sepse populli serb në Kosovë nuk do të vuaj më në terror.