Politike
Spahiu: Qori ka meritë historike që largoi Berishën dhe PD nga rrëmbimi i protestës
Juristi Kreshnik Spahiu e sheh kreun e Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, si një nga figurat që po fiton terren në kampin opozitar, deri në atë pikë sa mund të sfidojë Partinë Demokratike për përfaqësimin e opozitës shqiptare.
Në një intervistë për Report TV, Spahiu vlerësoi rolin e Qorit në organizimin e protestave, duke pretenduar se ai ka arritur ta mbajë lëvizjen protestuese larg ndikimit të Sali Berishës. Madje, juristi e cilësoi këtë si një zhvillim me rëndësi në skenën politike shqiptare.
Spahiu shkoi më tej, duke parashikuar se në një garë elektorale në Tiranë, kandidati i Lëvizjes Bashkë mund të marrë më shumë vota se Partia Demokratike. Sipas tij, Qori përbën sot një nga rivalët kryesorë për të marrë drejtimin politik të opozitës.
Duke folur për vijimësinë e protestave, juristi u bëri thirrje veçanërisht studentëve që të mos mbeten të varur nga partitë ekzistuese. Ai argumentoi se, nëse synojnë përfaqësim politik dhe sukses në zgjedhje, protestuesit duhet të krijojnë një alternativë të re politike.
“Arlind Qorin ta shënojnë në piedestal, për t’i bërë një monument historik. Ai ka hyrë në historinë politike që nxori Berishën 6 muaj jashtë bulevardit”, u shpreh Spahiu. Ai shkoi edhe më tej, duke parashikuar se në garën për Tiranën, kandidati i Lëvizjes Bashkë mund të marrë më shumë vota sesa Partia Demokratike. “Kam bindjen që ai do marrë më shumë vota se PD. Është sot rreziku kryesor i llogores opozitare për të marrë flamurin e opozitës”.
”Studentët duhet të kuptojnë një gjë, ose që partitë që janë mes tyre janë një pengesë e fortë, ose të zgjedhin që njëra prej tyre të jetë lidere e protestës. Pra ose të pranojnë bashkëpunimin, ose ta kuptojnë që ato janë pengesë për hapin e radhës. Studentët duhet të krijojnë partinë e tyre politike, nëse duan të shkojnë drejt një modeli të suksesshëm. Pra duhet të krijohet lëvizje e re, përndryshe do të jenë viktimë e shkopave që vendosin nën rrota partitë e vjetra politike”, deklaroi juristi