Lifestyle
Sa kohë zgjat rënia në dashuri sipas studiuesve
Edhe pse të gjithë dëshirojnë që faza magjike e rënies në dashuri të zgjasë përgjithmonë, ne duhet të pranojmë faktin që marrëdhëniet ndryshojnë me kalimin e viteve.
Shkencëtarët kanë shqyrtuar fazat e ndryshme nëpër të cilat kalon një marrëdhënie dashurie dhe ajo që ata zbuluan do të jetë një zhgënjim për shumë njerëz. Por, para se të kapni panik, mbani parasysh se çdo dashuri është unike dhe e veçantë dhe se këto statistika nuk duhet të vlejnë fare për ju.
Shkencëtarja e Harvardit, Dr. Katherine Wu, shpjegon se hormonet tona dhe kimia e trurit ndryshojnë shumë gjatë fazave të hershme të një marrëdhënieje, të cilat mund të ndahen përafërsisht në tre kategori – epshi, tërheqja dhe atashimi.
“Megjithëse ka mbivendosje, çdo lloj karakterizohet nga grupi i vet i hormoneve. Testosteroni dhe estrogjeni stimulojnë epshin; dopamina, norepinefrina dhe serotonina krijojnë tërheqje dhe oksitocina dhe vazopresina thellojnë lidhjen,” shpjegoi Wu.
Një studim i vitit 2021 i botuar në revistën “Frontiers in Psychology” zbuloi se pas gjashtë muajsh, çiftet priren të rriten nga faza fillestare e lidhjes dhe të evoluojnë në diçka tjetër.
Fazat e hershme të dashurisë romantike shoqërohen shpesh me stres dhe mund të ndryshojnë nga një periudhë e mëvonshme e karakterizuar nga ndjenja sigurie dhe qetësie, sipas studiuesve. Faza e parë, e cila zgjat përafërsisht gjashtë muajt e parë të marrëdhënies, përshkruhet si “infatuacion”. Ajo ka të gjitha karakteristikat e dashurisë romantike, duke përfshirë pasionin romantik dhe intimitetin.
Faza e dytë, që thuhet se zgjat nga rreth gjashtë muaj deri në katër vjet, quhet “dashuri pasionante”. Gjatë kësaj kohe pasioni ruhet, por përkushtimi dhe intimiteti shtohen.
Pas kësaj faze, dashuria pasionante ia lë vendin shoqërisë, pasioni ulet dhe angazhimi dhe intimiteti arrijnë kulmin.
Nëse e gjithë kjo tingëllon paksa shqetësuese për shpirtrat romantikë, ka një lajm të mirë. Studiuesit thonë se jo çdo marrëdhënie ndjek të njëjtën rrugë. Shumë çifte do të zgjasin kohën e dy fazave të para.
Për disa njerëz, dashuria romantike mund të zgjasë për shumë vite apo edhe dekada. Në marrëdhëniet romantike që zgjasin, dashuria shërben për të lidhur partnerët përmes krijimit të mirëkuptimit, emocioneve dhe zakoneve që janë karakteristike për marrëdhëniet afatgjata.
“Rënia nga dashuria” ka avantazhet e veta. Shumë njerëz mendojnë se periudha fillestare e një marrëdhënieje është një kohë e stresit dhe pasigurisë së shtuar.
“Dashuria më pas shoqërohet shpesh me xhelozi, sjellje të ndryshueshme dhe irracionalitet, së bashku me një sërë emocionesh dhe gjendjesh të tjera më pak pozitive”, thotë Vu. Ajo e quan nxitimin e hormoneve në fazat e hershme të dashurisë një “shpatë me dy tehe”, e cila mund të na shtyjë të marrim vendime të këqija, të neglizhojmë përgjegjësitë tona të përditshme ose të lëndojmë të tjerët. Ai shton se përvoja jonë në fillimin e dashurisë nuk ndryshon nga format e tjera të varësisë.