Politike
Shmangu ngjyrën e PS-së në posterat elektoralë, Beci: Beteja nuk është politike
Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Shkodrës në zgjedhjet e 14 majit, Benet Beci, ka folu mbrëmjen e sotme në lidhje me fushatën elektorale.
Ai tha se zgjedhjet janë bashkiake, ndërsa u shpreh se beteja nuk është PS-PD dhe nuk ka pse të marrë sfond politik, por duhet të ketë rëndësi mënyra e menaxhimit të qytetit.
Teksa është pyetur se pse ka zgjedhur që posterat e tij të mos kenë të njëjtën ngjyrë me kandidatët e tjerë të Partisë Socialiste dhe të dallohen nga ngjyra portokalli, Beci u shpreh se kjo ka të bëjë më konceptin e fushatës dhe se kjo ngjyrë nuk ka të bëjë me pjesën politike.
“Gjithë eksperiencën time të investimeve dhe qyteteve e kam pasur në drejtim me këtë pozicion. Posterat e mi kanë të bëjnë me gjithë konceptin e fushatës. Portokallia është ngjyrë energjike dhe e zhvillimit.
E kam pasur dhe në FSHZH dhe e kemi pasur për të njëjtin koncept. Është drejtpërdrejt për punën. Është koncepti i punës. Ngjyra është për të pasur një linjë, nuk ka të bëjë me pjesën politike. Unë pretendoj vota që janë dakord për të ndryshuar qytetin, të majta apo të djathta. Çdo votë do e kërkoj si votë të besimit”, tha Beci.