Connect with us

Kronike

“Jeta jote kaq e pati”/ Sulmit me thikë ndaj Bajrit në burgun e Fierit, sekuestrohen regjistrat e hyrje-daljeve

Prokuroria ka zgjeruar hetimet lidhur me sulmin me thikë ndaj Denis Bajrit në ambientet e burgut të Fierit. Në kuadër të hetimit janë sekuestruar regjistrat e hyrje-daljeve të institucionit, ndërsa po verifikohen edhe takimet që Bajri, Aldo Gjini dhe Jurgen Zoto kanë pasur gjatë muajve të fundit.

Sipas raportimeve, pritet të merren në pyetje persona që kanë zhvilluar takime me tre të dënuarit, me qëllim sqarimin e rrethanave dhe të dinamikës së ngjarjes.

Në hetim janë përfshirë edhe pamjet e kamerave të sigurisë së burgut. Ato po shqyrtohen për të verifikuar lëvizjet e personave të përfshirë, si dhe veprimet e punonjësve të ngarkuar me garantimin e sigurisë në institucion.

Sipas të dhënave të hetimit, Jurgen Zoto ka sulmuar me një mjet prerës të improvizuar Denis Bajrin, ndërsa në momentin e përplasjes ka qenë i pranishëm edhe Aldo Gjini. Gjatë incidentit, Bajri dhe Zoto kanë pësuar dëmtime dhe janë dërguar për ndihmë mjekësore në spital.

Pas ngjarjes, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka nisur verifikimin e masave të sigurisë në institucionin e Fierit. Tetë efektivë të Policisë së Burgjeve janë pezulluar nga detyra dhe po hetohen për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Në dëshminë e tij para hetuesve, Denis Bajri ka pretenduar se sulmi ndaj tij është kryer me porosi të Ibrahim Licit. Sipas deklarimeve të Bajrit, para sulmit ai është vënë në kontakt telefonik me Licin, i cili dyshohet se e ka kërcënuar. Këto janë pretendime të bëra nga Bajri dhe mbeten objekt verifikimi nga autoritetet.

Denis Bajri është nën hetim nga SPAK në lidhje me akuzën për vrasjen e Gjin Ndojit, ndërsa Jurgen Zoto ndodhet në burg për akuzat e vjedhjes me dhunë dhe armëmbajtjes pa leje.

Pas incidentit, për Bajrin, Gjinin dhe Zoton është vendosur transferimi në institucione të tjera të vuajtjes së dënimit.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e plota të sulmit, përgjegjësinë e personave të përfshirë dhe nëse ka pasur mangësi në masat e sigurisë së burgut.

Advertisement