Kosova
“Mos më prek po të them…”/ Tensione mes deputetëve të LVV-së dhe PDK-së
Seanca në Kuvendin e Kosovës është shoqëruar me debate dhe tensione mes deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Deputetët e LVV-së, Adnan Rrustemi dhe Ardian Gola, janë përfshirë në një debat me deputetët e PDK-së që ndodheshin në sallën e Kuvendit. Deputetët e PDK-së kanë kërkuar vazhdimin e seancës konstituive.
Gjatë debatit, Rrustemi dhe Gola kanë deklaruar se LVV po kërkon një marrëveshje për zgjedhjen e një presidenti konsensual. Nga ana tjetër, deputetët e PDK-së, Ganimete Musliu dhe Mërgim Lushtaku, i kanë akuzuar ata për shkelje të Kushtetutës.
Debati është shoqëruar edhe me tensione mes Rrustemit dhe Lushtakut. Në një moment, Rrustemi i ka kërkuar Lushtakut të mos ndërhynte fizikisht gjatë përplasjes.
Ndërkohë, deputetja Ganimete Musliu ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj deputetëve të LVV-së, duke iu drejtuar atyre me termin “superkriminela”.
Përplasjet kanë ndodhur gjatë zhvillimeve për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ndërsa palët vijojnë të kenë qëndrime të ndryshme lidhur me mënyrën e zgjidhjes së situatës politike.