Connect with us

Politike

Humbi thellë përballë Veliaj/ Këlliçi: Qytetarët nuk reaguan për të mposhtur kundërshtarin

Pasi humbi zgjedhjet në Tiranë, Këlliçi ka reaguar duke thënë se rezultati u manipulua, gara ishte e pabarabartë.

DEKLARATË PËR MEDIA E KANDIDATIT PËR BASHKINË TIRANË, BELIND KËLLIÇI

Të dashur qytetarë të Tiranës,

Jam këtu për të falënderuar mbi 100.000 qytetarë që më 14 Maj besuan dhe votuan ndryshimin në Tiranë.

Falenderoj strukturat e PD që dhanë gjithçka nga vetja, ekipin tim të fushatës, ekipin e kandidatëve për Këshillin Bashkiak, miqtë bashkëpunëtorët e shumtë të kësaj fushate, e në mënyrë të veçantë komisionerët, vëzhguesit dhe numëruesit tanë. I kërkoj me shumë përulje atyre, të vijojnë numërimin në çdo qendër ku ende duhen garantuar votat për anëtarët e Këshillit Bashkiak. Çdo votë e hedhur për ekipin tone, ka një rëndësi jetike për Tiranën.

Rezultati i zgjedhjeve të 14 Majit, për fat të keq nuk pasqyron realitetin dhe nuk është shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve.

Ky rezultat është i ndikuar nga një makineri shantazhi dhe dhune ndaj administratës publike, biznesit dhe qytetarëve.

Asetet publike janë vënë në dispozicion e janë shfrytëzuar në maksimum për të dhënë këtë rezultat të sotëm. Ne po punojmë çdo orë për të përgatitur dokumentacionin e plotë për çdo shkelje që është kryer.

Rezultati nuk i përgjigjet asaj se çfarë njerëzit, qytetarët mendojnë për kryebashkiakun aktual dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme kudo, në çdo cep të Tiranës, në qytet apo fshat.

Unë u paraqita në këto zgjedhje në rrethana aspak normale, si të gjithë kandidatët e opozitës. Isha plotësisht i vetëdijshëm për pjesëmarrjen në garën elektorale më të pabarabartë të këtyre 33 viteve, e megjithatë sërish zgjodha të dal para qytetarëve me një program konkret, të detajuar dhe me një platformë e cila vuri në qender nevojat e qytetarëve dhe që ofronte zgjidhje reale për shqetësimet e përditshme.

Megjithatë kjo nuk mjaftoi. Banorët dhe votuesit e Tiranës nuk reaguan në atë shkallë që ta mposhtnin mekanizmin e kundërshtarit që është i bazuar në presion, joshje, intimidim, para korrupsioni dhe në propagandë.

Unë e kam lexuar shumë mirë këtë fakt. Shoqëria jonë mesa duket kërkon diçka ndryshe dhe pret më shumë prej nesh. Të gjithë ne duhet të reflektojmë rreth kësaj që ka ndodhur dhe unë sigurisht duhet ta bëj i pari.

Kjo nuk do të thotë se do tërhiqemi, përkundrazi, duhet që të gjithë bashkë të bëjmë shumë më shumë se kaq. Por së pari duhet të kërkojmë brenda nesh, për të kuptuar saktë dhe analizuar me ftohtësi se çfarë publiku, opinioni, banorët dhe votuesit kërkojnë prej nesh.

Gjatë fushatës sime ja dola të bëj transparencë për punët publike të Bashkisë Tiranë, për bilancin real të saj, për abuzimin dhe vjedhjen e përditshme të taksave, keqpërdorimin e pushtetit si dhe nxorra në publik disa afera tronditëse. Çështje këto të trajtuara deri më tani si sekret shtetëror nga mediat dhe institucionet ligjzbatuese.

Jam krenar për këtë shërbim që i kam bërë qytetit tim.

Tirana ka nevojë për opozitë, po aq sa ka nevojë për ujë të pijshëm.

Në këtë betejë unë dhashë gjithçka nga vetja ime, duke hequr dorë edhe nga mandati i Deputetit, mandat që e mora me shumë punë dhe mund. Gjithashtu e them me kënaqësi se ekipi ynë në Këshillin Bashkiak, do na përfaqësojë të gjithëve, pa asnjë dallim, e do na bëjë krenar me punën e tij.

Tirana jonë meriton të qeveriset mirë dhe me ndershmëri. Tirana meriton shumë më shumë, dhe unë do vijoj ta bëj këtë në çdo pozicion apo angazhim që do të gjendem.

Së fundmi dua të falenderoj familjen time, që më qëndroi pranë në çdo çast, edhe kur fushata e kundërshtarit solli baltosje e shpifje të ulta.

Faleminderit nga zemra të gjithë qytetarëve për këtë mundësi që më dhatë.

Advertisement