Connect with us

Rajon

Mega aksion në Shkup/ Goditet banda e drogës, 15 në pranga

15 trafikues droge dhe arme, kryesisht shqiptarë nga Shkupi, janë arrestuar nga Policia e Shtetit pas një hetimi rreth 1-vjeçar. Hetimet kanë nxjerrë në pah detaje të shumta për shitblerje droge dhe trafik armësh, e gjitha në kuadër të tre grupeve të lidhura kriminale që blinin nga Kosova dhe Shqipëria dhe shisnin në Maqedoninë e Veriut.

“Pas marrjes së urdhrave për bastisje të lëshuara nga gjyqtari për procedurë paraprake, janë kryer bastisje në gjithsej 27 lokacione në Shkup dhe janë ndaluar 15 persona të moshës nga 20 deri në 54 vjeç, të gjithë nga Shkupi, ndërsa tre persona janë në kërkim. Gjatë kontrolleve në disa lokacione janë gjetur dhe konfiskuar kokainë dhe marijuanë, të cilat janë lëndë e ekspertizës, janë gjetur municione luftarake, një armë, automjete, një sasi e madhe e devizave dhe parave në denarë, telefona celularë,”-thuhet sipas mediave vendase.

Pamje nga aksioni

Prokuroria për Ndjekje të Krimit dhe Korrupsionit ka shqiptuar masën e paraburgimit për të gjithë trafikuesit të moshës 20 deri 54 vjeç. Por identiteti i tyre nuk është bërë me dije. Në operacionin, i cili u krye herët në mëngjesin e djeshëm, dyshohen gjithsej 18 persona, tre prej të cilëve janë në arrati. Kontrollet dje janë kryer në disa në vendbanimet të Shkupit si në Karposh, Kisella Vodë, Hasnabeg, Shuto Orizarë dhe në fshatin Haraçinë.

Droga e llojit kokainë është shitur për rreth 100 euro për një gram, ndërsa ai i llojit marijuanë dhe amfetaminë janë shitur për pesë dhe 25 euro për një gram. Ndërkohë shitja e armëve ka shkuar deri në një mijë euro për një armë. Sipas Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut, për tregti me drogë parashikohen të paktën pesë vite burg, ndërsa tregtimi me armë dënohet me të paktën tetë vite burg.

Advertisement