Shkrime
BE: Draft-statuti pikënisje për Asociacionin
Nga BE thuhet, se draft-statuti për Asociacionin i prezantuar nga ekipi menaxhues nuk është final, por pikënisje e rëndësishme. Nga ana e tij Kurti prezantoi draft-vizionin e tij. Dy draft-statute e asnjë zgjidhje?
Në një debat për Kosovën, të mbajtur të martën në Parlamentin Evropian ka qenë i pranishëm edhe Komisioneri Evropian për Çështje të Zgjerimit dhe Fqinjësisë, Oliver Varhelyi. Për të draft-statuti i ekipit menaxhues të Kosovës, duhet të jetë pikënisje në diskutimet për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Një model për Kosovën ka ofruar edhe ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grliç Radman. Modeli kroat për trajtimin e të drejtave të pakicave kombëtare mund të shërbejë si model i mirë edhe për Kosovën, tha ai, duke shtuar, se vendi i tij mbështet çdo marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas ministrit të Jashtëm kroat modeli i vendit të tij ishte i suksesshëm por, ekzistojnë modele të shumta në botë që mund të përdoren.
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, nga ana e saj, tha se Kosova ka shqyrtuar modele të shumta për mbrojtjen e pakicave, por nënvizoi se “Kushtetuta e Kosovës u ofron pakicave shumë më shumë të drejta se sa të gjitha modelet e tjera”. “
Një javë më parë ekipi menaxhues për hartimin e statutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, prezantoi në Bruksel draftin e parë. Ky draft, ka 67 nene dhe është i ndarë në nëntë kapituj.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e refuzoi këtë draft-statut menjëherë sapo u prezantua në Bruksel, duke thënë se ai është i papajtueshëm me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, por edhe vlerat evropiane. Në të njëjtën kohë, Kurti propozoi një draft-vizion siç e quan ai, se si do duhej të ishin vlerat dhe parimet që rregullojnë çështjen e komuniteteve pakicë në Kosovë.
Kete draft vizion e ka mbështetur edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbot, i cili tha se është koha që “Kosova nga ana e saj, “duhet ta prezantojë zyrtarisht draft-statutin për Asociacionin”.
Në vitin 2013 Kosova dhe Serbia u morën vesh për themelimin e Asociacionit. Po ashtu në vitin 2015, u dakorduan për parimet e tij. Po në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se 22 nene të Asociacionit janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Themelimi i Asociacionit parashihet tanimë edhe me marrëveshjen e arritur në Ohër më 18 mars ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha javën e kaluar se “zbatimi i marrëveshjes së Ohrit, nis me Asociacionin e komunave me Shumicë Serbe në Kosovë”.