Aktualitet
Vendimi drastik/ Përjashtohet për 15 vite nga sistemi i drejtësisë prokurori i Tiranës
Njoftim vendimi
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Ina Rama, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 16/2023, datë 24.04.2023 që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 629, datë 03.03.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Besnik Cengu. Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b”, e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
1. Ndryshimin e vendimit nr. 629, datë 03.03.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në këtë mënyrë:
i.Ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për subjektin e rivlerësimit Besnik Cengu, me funksion prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
ii.Në zbatim të pikës 2 të nenit G të Aneksit të Kushtetutës, ndalimin e emërimit të subjektit të rivlerësimit Besnik Cengu, për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15 – vjeçare.
2. Ky vendim është përfundimtar dhe me efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 13.06.2023.