Kosova
Kosova transferohet në Bruksel/ Kryefjalë e diskutimeve
Krerët e BE-së janë mblidhur dje dhe sot në Bruksel për një takim që në fokus do të ketë procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, situatën e sigurisë në Kosovë dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Në këtë takim, që përkon me 20-vjetorin e Samitit të Selanikut ku u dha premtimi për perspektivën europiane të rajonit, pritet të përsëritet përkushtimi ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të përcillet njëkohësisht shqetësimi nga tensionet e rritura në veri të Kosovës.
Burimet diplomatike presin që udhëheqësit evropianë t’u bëjnë thirrje dy vendeve që t’i ulin menjëherë tensionet dhe t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Në rast se nuk dëshmojnë vullnet për sjellje të matur dhe konstruktive, pritet t’u tërhiqet vërejtja për pasojat.
Drafti i dokumentit që pritet të miratohet në takimin e liderëve të BE-së tregon se KE-ja do të kërkojë masa të shpejta për uljen e tensioneve dhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Mes masave është pezullimi i punës së të gjitha grupeve të angazhuara për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), pezullimi i financimit të programeve të BE-së, mosmiratimi i projekteve nga Fondi për investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimi i takimeve në nivele politike.