Connect with us

Politike

Begaj vizitë zyrtare në Azerbajxhan: 30 vjet marrëdhënie diplomatike

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, u prit në një vizitë shtetërore nga Presidenti i Azerbajxhanit, Sh.T.Z. Ilham Aliyev.

Pas ceremonisë zyrtare të pritjes, dy presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë, i cili u pasua më tej nga një takim i delegacioneve, si dhe nga deklarata e përbashkët për shtyp.

Ndërmarrja e hapave të shpejtë në kuadrin e gazifikimit të Shqipërisë ishin pjesë e bisedës së dy presidentëve. “Shqipëria një vend tranzit i gazit është tashmë një realitet; Shqipëria një vend përfitues i transmetimit të gazit është një objektiv, për realizimin e të cilit vendi ynë angazhohet të thellojë edhe më tej bashkëpunimin” – tha Presidenti Begaj në deklaratën për shtyp.

Sipas Kreut të Shtetit, projekti i TAP-it ka forcuar peshën strategjike të Shqipërisë si portë dhe qendër rajonale për energjinë. Gazsjellësi Adriatiko-Jonian do të kontribuojë akoma më shumë në rolin e Shqipërisë si shpërndarëse e gazit në rajon.

Kreu i Shtetit nënvizoi se Shqipëria mirëpret vëmendjen e shtuar të Azerbajxhanit në zhvillimin e projekteve rajonale të energjisë, që do të afronte edhe më tej vendet e Ballkanit Perëndimor, teksa në të njëjtën kohë do të forconte edhe pozitat e tyre energjetike.

Presidenti Begaj u ndal në deklaratën e tij edhe te domosdoshmëria e pasjes së një Ballkani Perëndimor të stabilizuar.

“Kosova dhe Serbia janë palë negociuese për zgjidhjen e çdo mosmarrëveshjeje dhe të ndërtimit të një fryme të re bashkëpunimi mes njëra-tjetrës. Respektimi i marrëveshjeve të dakordësuara nga palët si mes tyre dhe në forumet ndërkombëtare, duhet të jenë pika orientimi drejt paqes së qëndrueshme. – u shpreh Presidenti.

Sipas Kreut të Shtetit, thellimi i bashkëpunimit ekonomik, si dhe prania e investimeve azere edhe në drejtim të turizmit janë të mirëpritura. Heqja e vizave është gjithashtu një tjetër mënyrë për të afruar më tej dy popujt. “Siç e përmenda, Presidenti Aliyev është një njeri që i përmbush premtimet në realitet dhe sot më tha se heqja e vizave do të realizohet shumë shpejt” – theksoi Presidenti Begaj.

Pika të tjera të trajtuara gjatë takimeve ishin edhe mbështetja e Shqipërisë për paqen afatgjatë në rajonin e Kaukazit Jugor, të ndërmjetësuar nga partnerët e besueshëm dhe organizatat ndërkombëtare. Kreu i Shtetit i rishprehu Presidentit Aliyev se Shqipëria gjithnjë ka mbështetur integritetin territorial të Azerbajxhanit dhe zbatimin e rezolutave të Këshillit të Sigurimit.

Dy presidentët u ndalën edhe te lufta në Ukrainë, ku ndanë një tjetër herë mbështetjen për integritetin territorial të Ukrainës.

Këtë vit, shënohen 30 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit. Për Kreun e Shtetit, sot marrëdhëniet mes dy vendeve janë më të mira se kurrë ndonjëherë.

Advertisement