Kronike
Aksidenti tragjik me vdekjen e 5 shqiptarëve/ Mediat greke: Ishin punëtor sezonal
5 shqiptarë të vdekur, mes tyre një 19-vjeçar dhe një 16-vjeçar, është bilanci i një aksidenti të frikshëm që ndodhi pasditen e së martës (18 korrik) në unazën e Edesës në Greqi.
Aksidenti rrugor ndodhi kur makina në të cilën ndodheshin pesë personat me orgjinë shqiptare, të cilët sipas medias greke ‘Protothema’, ishin punëtor ferme dhe po shkonin në Skydra, për shkaqe ende të panjohura është përplasur me një kamion ‘kokë më kokë’.
Sipas mediave greke automjeti në të cilin udhëtonin shtetasit shqiptarë ka dalë nga korsia e vetë në rrethana ende të pazbardhura dhe ka hyrë në korsinë e gabuar, duke u përplasur më pas me kamionin.
Forcat zjarrfikëse arritën të nxjerrin trupat e pajetë të shqiptarëve, ndërsa sipas policisë janë identifikuar një 55-vjeçar, një 50-vjeçar, një 19-vjeçar, një 16-vjeçar dhe një person tjetër, identiteti i të cilit ende nuk dihet.
Sipas informacioneve drejtuesi i makinës ishte një 55-vjeçar. Tregues i ashpërsisë së përplasjes është fakti se e vetmja pjesë e makinës që ka mbetur e paprekur ka qenë bagazhi.
Në video identifikohet targa shqiptare e makinës së përfshirë në aksident, një benz me targa AA 989 MU. Nga një verifikim i gazetarit Report TV, Sokol Dema, targa AA 989 MU e makinës, tip Benz i zi është regjistruar në emër të Besim Muçajt por nuk dihet ende se kush ka qenë në makinë.