Aktualitet
Dhuna për guroren/ ‘Rrajat’ dalin jashtë Shqipërisë?
Kur ka kaluar më shumë se dy javë nga dhuna që u ushtrua ndaj fisit Maja, Policia ende nuk ka mundur të vëjë në pranga anëtarët e tjerë të fisit Rraja. Policia ka ushtruar kontrolle në banesën e ish-deputetit Rrahman Rraja mirëpo aty nuk janë gjetur as vëllezërit e tij dhe as djali që janë në kërkim.
‘JOQ’ raporton se këta të fundit janë arratisur jashtë vendit.
Dhuna e ushtruar ndaj familjes Maja më 6 korrik, tronditi vendin. Organet e rendit thanë se shkak për konfliktin midis këtyre shtetasve dyshohet të jetë një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të Përparim Rrajës. Pas ankesave, fisi Rraja shkuan në një lokal dhe i dhunuan pa pushim me shkopinj në trup e kokë, madje i drejtuan edhe pistoleta. Videoja u bë publike dhe në kërkim janë shpallur Rexhep Rraja djali i ish-deputetit socialist, Rrahman Rraja dhe vëllai i tij Xhelal Rraja. Të tjerët janë identifikuar si Flamur Rraja, Klajdi Rraja, Edison Meta dhe Përparim Rraja.
Në qeli do të qëndrojnë Ineid Rraja, Eni Kulla dhe Andi Rraja, ndërsa pronari i lokalit Kujtim Përdaku është lënë në detyrim paraqitje nga gjykata. Pas ngjarjes së rëndë Rrahman Rraja dorëzoi mandatin e tij të deputetit./Dosja.al