Connect with us

Bota

Takim i kryediplomatëve të BE-së, mes shqetësimeve mbi marrëveshjen e grurit

Moska ka vazhduar për të tretën ditë me radhë sulmet ajrore kundër zonave në jug të Ukrainës duke vënë në shënjestër veçanërisht objektet ku mbahet gruri ukrainas. Të paktën dy persona kanë vdekur në qytetin port të Odesës dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur gjatë këtyre sulmeve. Në Bruksel, ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian po takohen për të diskutuar mbi çështjen e grurit ukrainas dhe gjetjen e rrugëve alternative për të dërguar grurë ukrainas në vendet që rrezikohen nga uria.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian u takuan të enjten në Bruksel për të diskutuar planet për të nxjerrë grurin nga Ukraina, pas pezullimit të një marrëveshje me Moskës dhe Kievit, të ndërmjetësuar nga OKB-ja për transportimin e sigurt të tij. Takimi vjen ndërsa sulmet ruse dëmtuan vendet ku mbahet gruri në Ukrainë.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se sulmet në qytetin port të Odesës përbënin një sulm ndaj “njerëzve më të varfër në botë”.

“Qindra mijëra njerëz, për të mos thënë miliona, kanë nevojë urgjente për grurin nga Ukraina. Kjo është arsyeja pse ne po punojmë me të gjithë partnerët ndërkombëtar në mënyrë që gruri në Ukrainë të mos kalbet gjatë javëve të ardhshme, por të arrijë te njerëzit në mbarë botën që kanë nevojë urgjente për të”, tha ministrja gjermane për punë të jashtme, Baerbock.

Rusia goditi qytetet jugore të Ukrainës, përfshirë qytetin port të Odesas, me dronë dhe raketa për të tretën natë radhazi në një valë sulmesh që ka shkatërruar një pjesë të infrastrukturës kritike të eksportit të grurit të vendit. Sipas zyrtarëve ukrainas deri më tani dihet për dy të vrarë dhe të paktën 21 të plagosur.

19 persona të tjerë u plagosën në qytetin jugor të Mykolaivit në sulmet që u kryen gjatë natës, thanë zyrtarët të enjten. Sulmet e së enjtes u bënë pak ditë pasi Presidenti Vladimir Putin tërhoqi Rusinë nga një marrëveshje e kohës së luftës që lejoi Ukrainën të dërgonte grurë në vendet që përballeshin me kërcënimin e urisë./VOA

Advertisement