Thinking ...
Connect with us

Kronike

“Gjyshja ka vdekur”, 14-vjeçari telefonoi Policinë pas krimit në familje

Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e Lumturi Patushit në Tiranë, për të cilën dyshohet bashkëshorti i saj, 68-vjeçari Hysni Patushi.

“Gjyshja ka vdekur”. Kjo ishte telefonata që mbërriti në sallën operative të Policisë së Tiranës dhe që vuri në lëvizje menjëherë shërbimet policore drejt një banese në zonën e Zogut të Zi.

Kur efektivët mbërritën në adresën e dhënë, gjetën të vrarë me thikë një grua, e cila më pas u identifikua si 58-vjeçarja Lumturi Patushi.

Sipas raportimeve, personi që njoftoi Policinë ishte nipi i saj 14-vjeçar. Në banesë ndodhej edhe vëllai i tij 8-vjeçar. Të dy fëmijët dyshohet se kanë qenë të pranishëm gjatë konfliktit mes gjyshërve të tyre.

14-vjeçari u ka treguar hetuesve se gjyshi i tij, Hysni Patushi, e ka goditur bashkëshorten me thikë pas një debati të ashpër.

Pas ngjarjes, 68-vjeçari dyshohet se është larguar me shpejtësi nga banesa. Rreth 200 metra larg pallatit, ai dyshohet se ka hedhur thikën që besohet se është përdorur në krim.

Më pas, Patushi është larguar nga zona dhe ka shkuar në banesën e një të afërmi në Kamzë. Ky i fundit ka njoftuar Policinë për praninë e 68-vjeçarit në banesë, duke bërë të mundur arrestimin e tij.

Gjatë marrjes në pyetje, sipas të dhënave të raportuara, Patushi ka deklaruar se konflikti me bashkëshorten kishte lindur pasi ajo qëndronte te vajza e tyre për t’u kujdesur për nipërit, ndërsa ai jetonte vetëm.

Burime nga Policia bëjnë të ditur se 68-vjeçari kishte pasur edhe më parë probleme për dhunë në familje. Në vitin 2017, ai ishte arrestuar nën akuzën e dhunës në familje ndaj bashkëshortes së tij.

Ndaj Hysni Patushit rëndon akuza për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare.

I dyshuari pritet të dalë para Gjykatës së Tiranës për caktimin e masës së sigurisë.

Advertisement