✦
Thinking ...
Connect with us

Shkrime

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, vjen goditja e Andi Bushatit: Tani është koha që Erion Veliaj të dorëhiqet

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë për të lënë Erion Veliajn në burg, Andi Bushati ngre pyetjen nëse kryebashkiaku i Tiranës duhet të dorëhiqet nga detyra.

Në analizën e tij, Bushati argumenton se deri tani kërkesa për lirimin e Veliajt është mbështetur edhe te interesi i qytetarëve dhe nevoja për funksionimin normal të Bashkisë së Tiranës.

Sipas tij, vetë Veliaj e përdori këtë argument si pjesë të strategjisë së mbrojtjes, duke marrë masa që, sipas Bushatit, rrezikonin të krijonin ngërç në administrimin e kryeqytetit.

Bushati përmend shkarkimin de facto të zv/kryetares Anuela Ristani dhe faktin se kompetencat nuk iu deleguan një personi tjetër, ndërsa Veliaj pretendoi se mund ta drejtonte Bashkinë edhe nga burgu.

Por vendimi i Gjykatës së Lartë, sipas Bushatit, e ndryshon situatën.

Ai argumenton se, nëse deri dje alibia ishte se lirimi i Veliajt duhej bërë për të mos dëmtuar interesin e qytetarëve dhe funksionimin e Bashkisë, pas vendimit për vijimin e qëndrimit në burg lind pyetja e kundërt: a duhet të dorëhiqet Veliaj pikërisht në emër të këtij interesi?

Bushati shprehet se, edhe për ata që kanë dyshime mbi dosjen ndaj Veliajt apo e konsiderojnë të tepruar kohëzgjatjen e izolimit të tij, qëndrimi në detyrë tashmë është i vështirë për t’u justifikuar.

“Këtej e tutje… duhet të jesh i pafytyrë që të mbrosh idenë se Lali mund të mbetet kryebashkiak edhe në dëm të këtij interesi”, shkruan Andi Bushati.

Në këtë mënyrë, analisti e kthen çështjen nga një debat për lirimin e Veliajt në një tjetër pyetje politike: nëse kryebashkiaku nuk mund ta ushtrojë detyrën nga burgu, a është dorëheqja zgjidhja për të mos paralizuar Bashkinë e Tiranës?

E PLOTE

Po tani, a duhet të dorëhiqet Veliaj?

Deri më tani për ta nxjerë Lalin nga burgu u përdor alibia e mos dëmtimit të interesit të qytetarëve dhe punëve të Tiranës. Këtej e tutje, pasi mirë apo keq, Gjykata e Lartë vendosi të lërë edhe për një kohë relativisht të gjatë të izoluar, duhet të jesh i pafytyrë që të mbrosh idenë se ai mund të mbetet kryebashkiak edhe në dëm të këtij interesi

Mes gjithë dyshimeve që ka ngjallur mbajtja e tij në një izolim të tejzgjatur për një vit e gjysëm, Gjykata e Lartë ka vendosur se Erion Veliaj duhet të vazhdojnë të qëndrojë në burg, pavarësisht se ajo Kushtetuese e ka njohur atë si kryebashkiak, të cilit i takon të ushtrojë funksionet e fituara me votë popullore.

Duke shfrytëzuar këtë situatë absurde të sistemit tonë të drejtësisë, Veliaj nuk la gurë pa lëvizur për ti vënë ata që do të merrnin vendimin për të përballë një presioni të jashtëzakonshëm. Ai shtoi lobimin ndërkombëtar për të cilin, deri më tani, vetëm në SHBA ka paguar gjysëm milioni USD. Ai garantoi përkrahjen ose më së paku “neutralitetin” e kryeministrit Rama që, ndryshe nga më parë, nuk i kundërshtoi lëvizjet e ish delfinit të vet në hierarkinë e Bashkisë.

Por, mbi të gjitha, duke shfrytëzuar kërkesën e Gjykatës Kushtetuese për një arsyetim të hollësishën të proporcionalitetit të mbajtjes në burg të një të zgjedhuri lokal, ai filloi mësymjen ndaj bashkisë. Ai shkarkoi de facto zvendësen Anuela Ristani, të cilës i pati deleguar kompetencat, që si pasojë e mungesës së vet fizike të mos pengohej mbarrëvajtja e punëve të institucionit. Por nuk u mjaftua me kaq. Ai nuk ia kaloi më askujt këtë përgjegjqësi duke pretenduar se do ta drejtonte nga burgu Tiranën. Për shumëkënd kjo lëvizje, që mori dhe bekimin e kryeministrit, u pa si një përpjekje për të zhytur bashkinë në kaos. Jo vetëm sepse Veliaj nuk përmbushte dot anën protokollarë dhe ceremoniale të përfaqësimit të institucionit, por se nga burgu ai nuk qe në gjendje të firmoste paga, ndihma sociale dhe fonde të ndryshme që duheshin për mbarëvajtjen e qytetit.

Por ndërsa ata që shihnin interesin qytetar i trembeshin kaosit, Veliaj donte ta shfrytëzonte atë si një levë për të thyer portën e burgut. Kryeargumenti i mbrojtjes së tij qe i thjeshtë: Ai duhej të lirohej në emër të mirë administrimit të Tiranës. Nëse Kushtetuesja kishte vendosur se ai nuk duhej shkarkuar, ai këtej e tutje duhej lejuar të kryente plotësisht detyrën.

Pra, shkarkimi i Ristanit dhe mosdelegimi i kompetencave diku tjetër kishte qëllim të qartë: të përdorej si presion ndaj gjyqtarëve të lartë duke lënë mbi supet e tyre përgjegjësinë e mosfunksionimit të një kryeqyteti me gati një milionë banorë. Kjo strategji, për ta përdorur bashkinë si mish për top mori shumë hov edhe në mediat pro Veliaj. “Si mund të penalizohet Tirana”? “Si mund të pengohen kështu punët e qytetit”? “Si mund të shpërfillet interesi i qytetarëve”, ishte refreni i tyre.

Pavarësisht të gjithë kësaj rokopuje gjykata vendosi ta lërë Lalin në burg. Dhe tani gjithë strategjia e ngritur javët e fundit rrezikon ti shndërrohet në bumerang. Nëse deri më tani meraku paskish qenë shërbimi ndaj banorëve, përkujdesja ndaj qytetit dhe mbarvajtja e Tiranës, a nuk duhet që në emër të këtyre kauzave Veliaj të mendojë dorëheqjen?

Natyrisht kush e ka ndjekur trajektoren e tij politike, lëpirjen ndaj më të fortëve dhe arrogancën kundrejt më të dobtëve, karkaterin dhe dyfytyrësinë e tij, nuk ka as dyshimin më të vogël se për Veliajn ky nuk është një obsion. Ai do të vijojë të zvarritet edhe në qeli. Madje nuk do të jetë çudi as ndonjë karagjozllëk i radhës, për ti deleguar te dikush tjetër kompetencat që i mori se i duheshin vetëm për ti përdorur këtë 15 shtator.

Ama një gjë është e qartë edhe për ata që, si puna ime, dyshojnë në ekzistencën e një dosjeje të konsoliduar kundër tij apo që e shohin si absurd mbajtjen kaq gjatë në izolim: pas kësaj qëndrimi i Erion Veliajt në detyrë është një fëlliqësi. Deri më tani për ta nxjerë atë nga burgu u përdor alibia e mos dëmtimit të interesit të qytetarëve dhe punëve të Tiranës. Këtej e tutje, pasi mirë apo keq, Gjykata e Lartë vendosi të lërë edhe për një kohë relativisht të gjatë të izoluar duhet të jesh i pafytyrë që të mbrosh idenë se Lali mund të mbetet kryebashkiak edhe në dëm të këtij interesi.

Advertisement