Rajon
25 tetori/ Vuçiç fut gjithçka në lojë, studentët sfidojnë pushtetin në kutitë e votimit
Serbia shkon drejt zgjedhjeve të 25 tetorit me një skenar të pazakontë politik. Aleksandar Vuçiç pritet të largohet nga Presidenca, por jo nga pushteti. Ai ka njoftuar se më 27 shtator do t’u drejtohet qytetarëve dhe më pas do të përfshihet në fushatë, me synimin për të marrë postin e kryeministrit nëse kampi i tij siguron shumicën parlamentare.
Pra, largimi nga Presidenca nuk nënkupton tërheqjen e Vuçiçit nga politika, por një përpjekje për ta zhvendosur qendrën e pushtetit nga Presidenca te Qeveria.
Përballë tij këtë herë janë studentët, të cilët pas protestave masive të nisura nga tragjedia e Novi Sadit kanë vendosur të kalojnë nga rruga në betejën elektorale.
Pas shembjes së strehës së betonit në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona, studentët kërkuan transparencë dhe përgjegjësi institucionale. Tani ata kanë dorëzuar një listë me 250 kandidatë për Parlamentin.
“Lista Studentore – Studentët Fitojnë” përfshin akademikë, mjekë, profesionistë dhe figura publike, mes tyre ish-basketbollistin Dejan Bodiroga dhe ish-guvernatorin e Bankës Kombëtare të Serbisë, Dejan Soskiç.
Një pjesë e opozitës tradicionale ka deklaruar se nuk do të garojë me lista të veçanta, por do të mbështesë kandidatët e studentëve.
Përballë tyre, Vuçiçi hyn në garë me një strukturë të konsoliduar politike dhe me listën “Aleksandar Vuçiç – Serbia e Bashkuar”, e cila ka siguruar mbi 209 mijë deklarata mbështetjeje.
Por sfida për studentët është e madhe. Protestat mund të mbledhin mijëra qytetarë në rrugë, ndërsa zgjedhjet kërkojnë organizim në të gjithë vendin, kontroll të votës dhe aftësi për ta kthyer mbështetjen në mandate parlamentare.
Më 25 tetor, Serbia nuk do të votojë vetëm për 250 deputetë. Do të votohet edhe për të ardhmen e modelit politik të Vuçiçit.
Ai do të provojë nëse mund të largohet nga Presidenca pa humbur pushtetin dhe ta zhvendosë atë në Kryeministri. Studentët, ndërkohë, do të provojnë nëse protesta e nisur pas tragjedisë së Novi Sadit mund të kthehet në një forcë reale politike brenda Parlamentit.