Aktualitet
Joseph: Kurti i pamatur në veri, njohja nga Ukraina mund t’i ndryshonte gjërat
Edward P. Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Washington, thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte treguar “i pamatur në lëvizjet e tij operative në veri”, por sipas tij situata nuk do të ndryshonte shumë as me një “kryeministër tjetër shumë më bashkëpunues dhe të butë”.
“Është e qartë se Kurti ishte i pamatur në lëvizjet e tij operative në veri, sfidues kur ishte fjala për bashkësinë ndërkombëtare dhe provokues kur bëhej fjalë për bashkëqytetarët e tij, serbët e Kosovës. Jo vetëm arrestimet, por edhe trajtimi i serbëve të arrestuar, meritojnë hetim” – tha Joseph në një intervistë për mediumin serb, Demostat.
“Avdullah Hoti në shtator 2020, nënshkroi Marrëveshjen e Washingtonit në Shtëpinë e Bardhë bashkë me Trump e Vucic. Po çfarë ndodhi me këtë kryeminister shumë bashkëpunues dhe të butë në Kosovë? A kemi parë progres të shpejtë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës? Një ulje te tensioneve duke u fokusuar në projekte ekonomike?” pyeti Joseph.
Zgjidhjen e problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Joseph e sheh në njohjen e mundshme të pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet e BE-së që ende s’e kanë bërë këtë, apo sidomos nga katër prej tyre që janë edhe anëtare të NATO-s: Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.
Dinamika aktuale në veri është “një reflektim i këtij problemi”, thotë Joseph dhe shton se “sa më gjatë të vazhdojnë tensionet, aq më e vështirë do të jetë të ecësh përpara” – Ai kujtoi se si Rumania, Sllovakia dhe Spanja e kishin injoruar plotësisht vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 2010 për pavarësinë e Kosovës. Njohja e Kosovës nga Ukraina mund t’i ndryshojë të gjitha gjërat dhe mosnjohësit do të duhej të përballeshin me faktet se Kosova është një rast i veçantë dhe unik