Rajon
Bechev: Vuçiç nuk jep gjë pa marrë asociacion, Kurti s’është për kompromis
“Përshkallëzimi i përsëritur i tensioneve në veri të Kosovës po e shtyn Bashkimin Evropian në regjimin e menaxhimit të krizave. Në vend që të fokusohen në një zgjidhje, të dërguarit perëndimorë janë të zënë me uljen e tensioneve” – Kështu tha për “AlJazeera Balkans” dr. Dimitar Bechev, ligjërues në Shkollën e Studimeve Globale dhe Rajonale, Universiteti i Oksfordit. Ai u shpreh edhe se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është “goxha larg”.
Sipas tij, Aleksandër Vuçiç nuk do të japë shumë pa avancuar Asociacioni i komunave me shumicë serbe, ndërsa shtoi se as kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “nuk është karakter kompromisi, qoftë për shkak se është ideologjik, qoftë sepse nuk i beson Serbisë dhe Bashkimit Evropian, i cili ka pesë anëtarë që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”.
“Bashkimi Evropian nuk mund të tërheqë asnjë vend për anëtarësim, sepse perspektiva bëhet e pakapshme. Serbia nuk do të anëtarësohet shpejt, e lëre më Kosova”, theksoi Bechev.
Bechev ndër të tjera tha se ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor nuk është i papërfillshëm, pasi ka aleatë dhe shoqërues të shumtë vendas, duke iu referuar Serbisë.