Kronike
I vuri pistoletën në kokë Mir Bitocit, autori: U hakmora për vëllanë e plagosur
“E bëra për t’u hakmarrë për vëllain tim, të cilin e ka plagosur 15 vite më parë”, mësohet të ketë deklaruar para hetuesve 52-vjeçari Poli Boriçi, i arrestuar pas atentatit të dështuar në Elbasan, ku shënjestër ishte 50-vjeçari Ermir Kërtezi.
Sipas dëshmisë së Boriçit, motivi i sulmit lidhet me një konflikt të ndodhur rreth 15 vite më parë. Ai ka pretenduar se Kërtezi kishte plagosur vëllain e tij dhe se pasojat e asaj ngjarjeje kishin qenë të rënda, duke sjellë edhe paralizimin e tij.
Por ky version nuk përputhet me deklarimet e Kërtezit. 50-vjeçari ka pohuar se marrëdhëniet mes dy familjeve ishin normalizuar prej vitesh, ndërsa sipas tij ata jetonin pranë njëri-tjetrit dhe nuk kishin pasur konflikte për rreth 15 vite.
Pikërisht kjo mospërputhje ka bërë që hetuesit të verifikojnë me kujdes historikun e konfliktit dhe të mos përjashtojnë edhe pista të tjera. Grupi hetimor po shqyrton mundësinë që atentati të jetë nxitur nga një konflikt më i afërt në kohë mes autorit dhe shënjestrës.
Ngjarja ndodhi rreth orës 12:40 të së shtunës, në një lokal në hyrje të qytetit të Elbasanit, ku në atë moment kishte një numër të konsiderueshëm klientësh. Pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë tregojnë se Kërtezi ndodhej në ambientet e lokalit dhe më pas doli jashtë.
Në atë moment, Boriçi, i cili ndodhej në lokal në shoqërinë e bashkëshortes, u ngrit dhe e ndoqi. 52-vjeçari dyshohet se nxori pistoletën dhe ia drejtoi në kokë Kërtezit, por arma u bllokua në momentin kur ai tentoi të qëllonte.
Kërtezi reagoi menjëherë, duke e shtyrë autorin dhe duke u larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Boriçi e ndoqi për disa metra, përpara se të largohej.
Arratia e tij zgjati pak, pasi policia arriti ta lokalizojë dhe ta arrestojë. Gjatë operacionit, efektivët sekuestruan edhe armën e zjarrit që dyshohet se u përdor në tentativën për vrasje.
Tashmë hetuesit po verifikojnë dëshminë e 52-vjeçarit, historikun e konfliktit të pretenduar 15 vite më parë dhe nëse pas atentatit qëndron realisht motivi i hakmarrjes apo një konflikt tjetër i kohëve të fundit.