Connect with us

Kronike

‘A ja din vendin ku është…’/ Bajri-Bilali plan për vrasjen e babait të Ibrahim Licit

Listës së gjatë të personave për t’u vrarë nga Behar Bajri dhe Astmer Bilali, nuk ishin vetëm kundërshtarët potencialë që i rrezikonin jetën, por edhe prindërit e tyre.

Siç del në dosjen e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), në planet e Beharit dhe Astmerit, ka qënë dhe anëtari i Këshillit Bashkiak Shkodër, Mustafa Lici, babai i Ibrahim Licit.

Ibrahimi dhe Dorian Duli shiheshin si dy persona që shfaqnin rrezik për grupin Bajri, ndaj një rrjet i tërë me spiunë në polici dhe fshatrat përreth ishin aktivizuar për të gjetur vendodhjen e tyre.

Madje, në një rast teksa shefi i Krimeve të Rënda Ardrit Hasanbegaj, bisedon me Pëllumb Gjokën, i shprehet këtij të fundit në vitin 2020 se Dorian Duli, qëndron në një hotel në Himarë dhe se për ta gjetur do aktivizojë “Julin”, një tjetër polic në Policinë e Vlorës. Njëherësh spiunët informonin Behar Bajrin dhe për lëvizjet e Mustafa Licit, i cili ishte në plan dytësor për t’u vrarë.

Gjatë një bisede në “Sky” të zbardhur nga ekspertët francezë të hetimit, Behar Bajri komunikon me Astmer Bilalin dhe i tregon që “Mustafa (Lici)” ndodhet në Laç të Vaut të Dejes.

Informatori i grupit në këtë zonë i ka treguar Behar Bajrit, se Mustafa ishte parë së bashku me gruan, nga ora 09:00 e paradites.

Ndërsa Astmeri e pyet: “…A ja din vendin ku është…?”

Behari i tregon që: “…Ka qenë në Laç dhe e kanë parë duke u kthyer…”

Por Astmeri i thotë se në çfarë shtëpie ka qënë dhe se s’mund ta kapnin kështu pa u përgatitur.

“…Duhet ta kemi informacionin më përpara që ta kapim se ndryshe nuk bëjmë dot punë…” – ia kthen Astmer Bilali.

Astmeri në vazhdimësi i tregon që: “…Ja kam gjet hotelin atij (Dorian Dulit) ku ka qenë në jug. Kena lënë njerëz atje me pa, ishalla po e shohin atje…”

Behari i thot që: “…Ka qenë me një makinë audi ngjyrë kafe A3…”

Astmeri i shprehet që: “…Nuk ja di këtë makinë…”

Ky informacion për vendndodhjen e mundshme të Dorian Dulit në Himarë, i përcillet nga Behar Bajri dhe Pëllumb Gjokës, i cili më tej informon shefin e Krimeve në Shkodër, Ardrit Hasanbegajn, për të kryer verifikimet.

Në 21 gusht 2020 në orën 00.02 Pëllumb Gjoka, komunikon me Ardit Hasanbegajn, ku Pëllumbi ja ka dhënë dhe emrin e hotelit se ku po qëndronte Duli ne Himarë.

Ardriti shprehet që: “…Po është në zonën e Himarës, e kemi kollaj se kemi atë shokun tim, në Vlorë e kontrollon “Juli”. Po nuk ka 100 hotele me këtë emër. Në zonën e Himarës po lidhem nesër vëlla, i themi këtij shokut t’i kontrollojë të gjitha nga janë njerëzit që janë nëpër dhomat e hotelit…”

/Ora News

Advertisement