Connect with us

Aktualitet

Shkarkohet nga detyra prokurori i Lezhës

Prokurori i Lezhës, Bardhyl Shehu nuk u paraqit të enjten në seancën e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Shehu, i cili mungoi edhe në seancën dëgjimore që u zhvillua për vetingun e tij të hënën më 7 gusht, u shkarkua nga KPK pasi trupa gjeti se ai nuk justifikonte pasuritë e vëna.

Procesi i rivlerësimit kalimtar për prokurorin Shehu u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Alma Faskaj.

Gjatë seancës dëgjimore Komisioni vuri në dukje se kishte gjetur gjatë hetimit pamundësi të prokurorit Bardhyl Shehu dhe bashkëshortes së tij për të krijuar pasuritë në vlera të mëdha që zotërojnë. KPK po ashtu ngriti dyshime për përfshirje të këtij subjekti në transaksione të paprovuara ligjërisht si dhe në deklarime të pasakta me qëllim justifikimin e burimeve të tyre.

Shehu që nuk u paraqit dhe as u përfaqësua me avokat në seancë, ndërsa një kërkesë e tij për shtyrje me pretendimin se ishte sëmurë nuk u konsiderua nga KPK që vijoi relatimin e rezultateteve të hetimit administrativ.

Bardhyl Shehu e ka nisur karrierën në vitin 1985 dhe ka punuar për gati dy dekada si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai u emërua prokuror në vitin 2005 dhe punoi në Prokurorinë e Kurbinit. Pas miratimit të hartës së re gjyqësore, Shehu e ushtron funksionin në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.

Advertisement