Connect with us

Kronike

Rrumbullaku pret delegacionin nga Indonezia: Urë bashkëpunimi kundër trafikut të drogës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku dhe drejtues të tjerë të lartë në Drejtorinë e Përgjithshme, mirëpritën një delegacion me përfaqësues nga Bordi Kombëtar kundër Narkotikëve i  Indonezisë dhe nga Ambasada e Indonezisë.

Vizita synoi të krijojë ura bashkëpunimi ndërmjet 2 agjencive, ura të cilat do të shërbejnë për të goditur grupet kriminale me shtrirje të gjerë botërore, që merren me trafikimin e lëndëve narkotike. Bashkëpunimi u dakordësua të zhvillohet përmes krijimit dhe konsolidimit të kanaleve për shkëmbimin e informacioneve, si dhe përmes aplikimit të modeleve më të mira që ndjekin këto polici, në luftën kundër trafikimit të lëndëve narkotike.

Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe kryetari i delegacionit, Drejtuesi I Bordit  Kombëtar kundër Narkotikëve i Republikës sē Indonezisë z. Petrus R.Golose, shprehën gatishmërinë e 2 organizatave për të bashkëvepruar për betejat e përbashkëta, për të finalizuar operacione me impakt global, si dhe për të garantuar siguri publike për qytetarët e të dy vendeve.

Policia e Shtetit dhe Bordi Kombëtar kundër Narkotikëve i Republikës së Indonezisë ndanë qëndrimin e njëjtë  kundër narkotikëve.

Në përfundim të vizitës, Drejtori i Përgjithshëm, përmes një dokumentari, i njohu anëtarët e delegacionit, me historikun e Policisë së Shtetit shqiptar, me parimet mbi të cilat organizohet dhe funksionon sot ajo, si dhe me rezultatet e këtij viti, në luftën e përditshme kundër fenomeneve kriminale.

Advertisement