Connect with us

Kronike

Pas Nuredin Dumanit dhe Skerdi Tases, edhe Erjon Alibej merr statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë

Erjon Alibej, një personazh i njohur i botës së krimit në Elbasan, ka marrë zyrtarisht statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Prej disa kohësh, SPAK është duke hetuar në lidhje me disa ngjarje kriminale të rrëfyera prej tij.

Sipas Tv Klan, nga verifikimet e deritanishme ka rezultuar se deklarimet e Alibejt përputhen me të dhënat e siguruara nga dosjet e vjetra hetimore, të tërhequra nga prokuroritë e rretheve dhe mund të çojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjeve.

Alibej u vu në pranga fillimisht si porositës i disa krimeve të rrëfyera nga Nuredin Dumani, i cili ishte i pari që mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë në dosjen e njohur si ‘Plumbi i Artë’.

Ai rezultoi të ishte përfshirë në një zinxhir vrasjesh në Elbasan me motiv hakmarrjen, për vrasjen e të vëllait, Endrit Alibej dhe njerëzve të tij të afërt në Dhjetor 2018.

Në dosjen ‘Plumbi i Artë’, SPAK ka tre bashkëpunëtorë drejtësie, Nuredin Dumanin, Skerdi Tasen dhe së fundmi edhe Erjon Alibejn.

Deri më tani si rezultat i rrëfimeve nga bashkëpunëtorët e drejtësisë, janë zbardhur 27 ngjarje kriminale, vrasje, tentativë vrasjeje, grabitje apo edhe shkatërrim të pronës me tritol. Teksa të pandehur në gjykatë janë dërguar 20 persona, një pjesë prej tyre ende në arrati.

Advertisement

TRENDING