Aktualitet
SPECIALE | Kryeministrat mënjanë/ Kosovë – Shqipëri, diplomaci me presidentët
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi Serbinë se po synon të zbatojë një plan destabilizues në Ballkanin Perëndimor, të ngjashëm me atë, siç tha ajo, që e realizoi Rusia në Ukrainë më 2014. Osmani, që qëndroi në vizitë zyrtare në Shqipëri, tha se të gjitha shtetet demokratike në rajon nuk duhet të lejojnë zbatimin e këtij plani. Ajo iu referua nisjes së konfliktit mes separatistëve të mbështetur nga Rusia me forcat ukrainase në rajonin lindor të Donbasit dhe aneksimit të Gadishullit të Krimesë nga Moska. “Nuk është situata në veri ajo që ka acaruar dialogun Kosovë-Serbi. Është Serbia ajo që gjithnjë acaron situatën në rajonin tonë nëpërmjet sulmeve të njëpasnjëshme ndaj Kosovës. Nuk ka javë që kalon që dikush nga Serbia nuk gjuan me armë policët e Kosovës që janë në territorin e Kosovës. Duke zbatuar në përpikëri planin që [presidenti rus, Vladimir] Putini kishte zbatuar në vitin në vitin 2014 kundër Ukrainës, [presidenti serb, Aleksandar] Vuçiqi dhe Serbia po synojnë ta destabilizojnë të gjithë Ballkanin Perëndimor, e nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë të atakojnë vlerat dhe sistemin e vlerave mbi të cilët qëndrojnë BE-ja dhe NATO-ja”, tha Osmani, duke iu referuar tensioneve në veri të Kosovës. Tensionet në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – u rritën në fund të majit, pasi banorët lokalë kundërshtuan kryetarët e rinj shqiptarë, që u zgjodhën në prill. Votimet e prillit u bojkotuan nga popullata dhe partitë serbe në Kosovë. “Prandaj, sa i përket asaj që ngjan në veri, ta keni parasysh që Serbia vazhdimisht fut armatim në Kosovë ilegalisht, Serbia vazhdimisht trajnon pjesë të strukturave ilegale kriminale në ushtrinë serbe, në mënyrë që ata pastaj të shkaktojnë probleme nëpërmjet armëve që i sjellin ilegalisht në veri të Kosovës.