Aktualitet
Çmimet në supermarkete nën lupë/ Kontrollohen 30 produktet që blejmë më shumë
Çfarë po ndodh me çmimet në supermarketet shqiptare?
Autoriteti i Konkurrencës ka nisur monitorimin e supermarketeve kryesore të vendit, pas ankesave të qytetarëve dhe shqetësimeve të ngritura për çmimet e produkteve të konsumit të përditshëm.
Në qendër të kontrollit do të jenë pikërisht produktet që familjet shqiptare blejnë më shumë.
Supermarketeve u është kërkuar të paraqesin të dhëna të hollësishme për shitjet dhe çmimet gjatë periudhës janar 2025 – qershor 2026, si dhe listën e 30 produkteve që zënë peshën më të madhe në shitjet e tyre.
Autoriteti do të krahasojë të dhënat për të parë se si kanë lëvizur çmimet dhe nëse konkurrenca mes supermarketeve po funksionon realisht në favor të konsumatorit.
Dhe çështja ka peshë direkte për çdo familje.
Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se në korrik 2026 inflacioni arriti në 3.4%, nga 2.5% që ishte një vit më parë.
Pra pyetja që duhet bërë është e thjeshtë:
PSE PO PAGUAJMË MË SHUMË DHE SA KONKURROJNË REALISHT SUPERMARKETET ME NJËRI-TJETR?
Monitorimi nuk do të thotë se është provuar një shkelje apo abuzim nga supermarketet. Por fakti që Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar të dhëna të detajuara tregon se çmimet e shportës janë tashmë nën vëzhgim zyrtar.
Për konsumatorin, rezultati më i rëndësishëm do të jetë të kuptojë nëse çmimet që sheh çdo ditë në rafte vijnë nga konkurrenca reale apo nëse tregu ka probleme që kërkojnë ndërhyrje.
NTV do ta ndjekë këtë proces dhe do të sjellë rezultatet sapo Autoriteti të dalë me përfundime konkrete.