Politike
Poliçani nuk pranon të “zhduket”/ 15 këshilltarë kundër bashkimit me Beratin/ Gati të dorëhiqen
Përplasja për hartën e re territoriale po ashpërsohet. Këshilli Bashkiak i Poliçanit ka votuar unanimisht kundër propozimit që parashikon shkrirjen e kësaj bashkie dhe bashkimin e saj me Beratin.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme, të 15 anëtarët e Këshillit Bashkiak votuan kundër projektligjit për ndryshimin e ndarjes administrativo-territoriale.
Por qëndrimi nuk është ndalur vetëm te vota.
Të 15 këshilltarët kanë paralajmëruar se do të japin dorëheqjen nëse Kuvendi miraton shkrirjen e Bashkisë Poliçan.
Në mbledhje ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku Adriatik Zotkaj, i cili kundërshtoi argumentet për bashkimin me Beratin dhe deklaroi se komuniteti është kundër humbjes së statusit të bashkisë.
Sipas të dhënave të paraqitura prej tij, në territorin e Poliçanit ushtrojnë aktivitet 318 biznese, ndërsa zona ka potencial në turizmin malor dhe industrial.
Këshilli u njoh gjithashtu me rezultatet e dëgjesave publike të zhvilluara me qytetarët, ku është shprehur kundërshtimi ndaj propozimit.
61 BASHKI MUND TË BËHEN 46
Poliçani është vetëm një prej bashkive që preken nga propozimi i Partisë Socialiste për reformën e re territoriale.
Drafti i depozituar në Kuvend parashikon reduktimin e numrit të bashkive në Shqipëri nga 61 në 46, duke shkrirë 15 bashki aktuale dhe duke i bashkuar me njësi të tjera më të mëdha.
Sipas propozimit, Poliçani dhe Dimali do t’i bashkohen Bashkisë Berat.
Vendimi përfundimtar nuk i takon Këshillit Bashkiak të Poliçanit, por Kuvendit.
Megjithatë, vota unanime dhe kërcënimi me dorëheqje i të gjithë këshilltarëve tregojnë se reforma territoriale mund të përballet me rezistencë të fortë lokale në bashkitë që rrezikojnë të humbasin statusin e tyre.
Tashmë pyetja është:
A DO TA MIRATOJË KUVENDI SHKRIRJEN E POLIÇANIT PËRBALLË KUNDËRSHTIMIT TË PLOTË TË PUSHTETIT VENDOR?