Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | Kryetarët nuk largohen me Peticion

Udhëzimit Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e Kryetarit të Komunës nga funksioni nuk po konsiderohet si rrugë e duhur për largimin e katër kryetarëve të komunave të veriut. Përveç komplikimeve politike që mund të sjell, dokumenti në fjalë po konsiderohet edhe si antikushtetuese. Njohësit e proceseve kushtetuese kanë bërë me dije se udhëzimi i publikuar nga MAPL-ja nuk do të funksionojë. Ata kanë bërë me dije se zgjidhja më e mirë për zgjedhjet e reja në veri është marrëveshje politike e Qeverisë me kryetarët aktual. Këta të fundit, sipas tyre, duhet të japin dorëheqje. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka thënë se komplikimet atje po shkaktohen nga mungesa e vullnetit politik të Qeverisë. “Kjo është çështje e mungesës së vullnetit politik nga ana e pushtetit. Nëse pushteti do të donte ta rregullonte këtë punë, kjo çështje do të harrohej. Do të mund të ulej me opozitën dhe t’i thoshte se ne bëmë zgjidhje, i mbajtëm zgjedhjet siç na tha Kushtetua e ligji, dhe siç na përkrahën miqtë tanë ndërkombëtarë. Miqtë tanë nuk e konsiderojnë, sipas standardeve të shteteve të tyre, këtë rezultat, dhe ne për pasojë jemi të delegjitimuar”, ka thënë Hasani në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Në këtë mënyrë, sipas tij, Kosova po e dëmton vetveten. “Unë mendoj që Kosova nuk po i bën nder vetes. Mund t’iu thuhet [kryetarëve], ose mos shkoni një muaj në punë, ose jepni dorëheqje. Shumë më dinjitoze është të jepet dorëheqje dhe të mos shkohet në punë, sesa të largohen me nënshkrim. Sepse, në atë mënyrë, pushteti vetëm po u kundërvihet tezave të veta qe pesë-gjashtë muaj, që ata janë legjitimë. Ata nuk janë legjitimë aty. Ata janë legalë, sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, por legjitimiteti aty është zero”, është shprehur Hasani.

 

Advertisement