Rajon
I shtrirë në tokë dhe i mbuluar në gjak, dalin pamjet nga vrasja e shqiptarit në Greqi
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një parking në Pireut, Greqi, ku një 39-vjeçar shqiptar është vrarë. Sipas mediave greke, autori është një 68-vjeçar, që e ka qëlluar me pushkë.
Sipas informacioneve, viktima punonte në një parking në rrugën Praxitelous, raportojnë mediat greke.
Fillimisht 68-vjeçari e ka goditur nga jashtë parkingut ku punonte shqiptari dhe më pas i ka shkuar afër duke e qëlluar sërish dhe më pas është larguar. Sipas raportimit thuhet se ai e ka goditur fillimisht viktimën në fytyrë dhe më pas në shpinë.
Ai u plagos rëndë dhe u dërgua me urgjencë në Spitalin Zaneio, por nuk mundi t’i mbijetonte plagëve.
Pas vrasjes 68-vjeçari ka shkuar në shtëpinë e tij, në një pallat aty pranë, ku është arrestuar pak kohë më vonë. Viktima ishte një punonjës i biznesit dhe dy burrat raportohet se kanë pasur debate të shpeshta.
“E vrau për një vend parkimi”, thonë dëshmitarët.
Një grua që njihte autorin e moshuar të sulmit vrasës në Pire, flet për një burrë që shpesh shkaktonte probleme dhe debatonte me fqinjët për arsye të parëndësishme .
Hetimet paraprake për rastin janë ndërmarrë nga Drejtoria e Sigurimit të Atikës. Ky ishte incidenti i dytë me armë zjarri në një zonë banimi brenda pak ditësh.