Kosova
Polici i vrarë/ Familjari thirrje Kurtit: Mos përdor uniformat e policisë në veri
Reagimet nga familjarët e policit të vrarë në veri po vazhdojnë.
Djali i axhës së policit tashmë të vrarë, Afrim Bunjaku, në një prononcim të shkurtër për media, i bëri thirrje kryeministrit të vendit, Albin Kurti, “që t’i mos i përdorë uniformat e policisë në veri, por të merret me bisedime”
“Unë e kam një thirrje drejt kryeministrit, le të merret me bisedime e të mos i përdorë uniformat tona në veri dhe mos të humbim jetë të tjera. E Falënderoj Policinë e Kosovës të cilët kanë qenë korrekt gjatë informacionit. I ndjeri ka lënë tre fëmijë, një vajzë dhe dy djem. E kemi pasur të vështirë t’i njoftojmë, por me ndihmën e Policisë dhe emergjencës, kemi arritur që ngadalë t’i njoftojmë dhe t’i qetësojmë. Prej që kanë filluar trazirat, vazhdimisht ka qenë në pjesën veriore, me net të tëra ka ndenjur në male. Është nder dhe krenari t’i shërbejmë vendit, por jo në këtë mënyrë ku nuk kemi mbrojtje prej askujt dhe as përkrahje nga ndërkombëtarët”, u deklarua ai.
Teksa më tej, familjari i të ndjerit shpresoi që këto raste të mos ndodhin përsëri, pasi siç tha ai, jetët e policëve po shuhen çdo ditë.