Kosova
Sulmi terrorist në veri/ Sveçla publikon faktet që tregojnë përfshirjen e Serbisë
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka vazhduar me prezantimin e provave të reja që sipas tij tregojnë qartë lidhjet zyrtare mes shtetit të Serbisë dhe grupit terrorist që kreu vrasjen e policit Afrim Bunjaku.
Së fundmi Sveçla ka publikuar një dokument që është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave.
“Shtohen një pas një dëshmitë e lidhjes zyrtare mes shtetit të Serbisë dhe grupit terrorist që kreu vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe përgatitjen e aksionit kundër rendit kushtetues me qëllim destabilizimin e Republikës së Kosovës.
Ky dokument është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ministri ka shtuar se “atë që e kemi deklaruar në vazhdimësi tash po e mbështesim edhe me fakte e dokumente të pakontestueshme se shteti i Serbisë mbështet këto grupe terroriste politikisht, financiarisht, logjistikisht”.