Kosova
Edhe pas vezëve, Kurti vazhdon të bëj thirrje për marrëveshje, por sinjalet mbeten të ftohta
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vazhdon t’i bëjë thirrje Lidhjes Demokratike të Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje politike, megjithëse zhvillimet e ditëve të fundit tregojnë se palët mbeten larg dakordimit.
Pas ndërprerjes së seancës konstituive të shtunën, Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje vendosi të mos propozojë kandidat për kryetar të Kuvendit, ndonëse, sipas tij, i ka votat për ta zgjedhur. Ai argumentoi se konstituimi i Kuvendit pa një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit do ta çonte vendin në zgjedhje të reja.
Megjithatë, nga LDK-ja nuk pati mbështetje për vendimin e Kurtit për të kërkuar kohë shtesë. Deputetja Jehona Lushaku e cilësoi si “papërgjegjësi totale” faktin që LVV-ja nuk propozoi kandidat për kryetar të Kuvendit, duke theksuar se partia fituese ka detyrimin ta çojë përpara procesin e konstituimit të institucioneve.
Ndërkohë, deputeti i LDK-së Arben Gashi ka argumentuar se pengesa kryesore nuk është ndarja e posteve, por mungesa e besimit mes dy partive.
Sipas tij, përvoja e bashkëqeverisjes së vitit 2020 ka krijuar një histori mosbesimi, ndërsa para çdo marrëveshjeje duhet të ketë pajtim për çështjet themelore shtetërore, përfshirë politikën e jashtme, dialogun me Serbinë, raportet me aleatët, ekonominë dhe mënyrën e qeverisjes.
Gashi ka propozuar që ndarja e institucioneve të reflektojë rezultatin zgjedhor, por ka theksuar se edhe çështja e presidentit është dytësore krahasuar me mungesën e një programi të përbashkët qeverisës.
Palët u takuan disa ditë para seancës së fundit, por bisedimet përfunduan pa marrëveshje. Kurti tha se kërkesat e LDK-së nuk pasqyrojnë rezultatin zgjedhor, ndërsa Abdixhiku këmbënguli se partia e tij duhet ta propozojë kandidatin për president, duke paralajmëruar se pa këtë nuk sheh arsye për vazhdimin e negociatave.
