Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | “Të dënojmë Serbinë për sulmet”/ Thirrja nga Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës është pajtuar që të hartojë një projekt-rezolutë për dënim të sulmeve që kanë ndodhur ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator. Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në Banjskë të Zveçanit kanë vdekur një zyrtar policor dhe tre sulmues. Seanca e 28 shtatorit ka nisur me një minutë heshtje në nderim të zyrtarit policor të vrarë. Autoritetet e Kosovës e kanë konsideruar Serbinë përgjegjëse për këtë sulm, derisa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se sulmuesit kanë qenë serbë të Kosovës, të ngopur nga “terrori” i Kurtit. Kryeministri i Kosovës, ka bërë thirrje në Kuvend për sanksionim dhe ndëshkim të Serbisë nga faktori ndërkombëtar për sulmin në Banjskë. “Nëse kalon e pandëshkuar, atëherë ajo do ta përsërisë krimin”. Mes tjerash Kurti ka bërë thirrje që organizatat Mbrojtja Civile dhe Brigada Veriore të shpallen organizata terroriste nga shtetet partnere të Kosovës. Qeveria e Kosovës i ka shpallur këto dy organizata si terroriste, më 29 qershor. Ato besohet se veprojnë në veriun e Kosovës dhe numërojnë qindra pjesëtarë nga radhët e komunitetit serb, që janë shumicë në këtë zonë. Kurti i ka falënderuar të gjitha shtetet që e kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe për mbështetjen e ofruar. “Lufta kundër krimit e terrorit të sponsoruar nga Serbia vazhdon, dhe ajo do të përfundojë doemos me fitoren e shtetit tonë të pavarur”. Shefja e grupit parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka bërë thirrje për unitet politik, në këtë periudhë kur, sipas saj, është duke u sfiduar integriteti territorial i Kosovës

Advertisement