Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | Asociacioni, specialitet i SHBA-ve/ Ta gatuajnë amerikanët

Topi për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë do të duhej të kalonte në fushën e SHBA – së paku sipas presidentes së Kosovës, Vjosa Omani. E para e shtetit tha në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës se SHBA-ja do të duhej të merrte rol udhëheqës në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Këtë rol, tash e dymbëdhjetë vjet, e ka Bashkimi Evropian. “Mendoj se zgjidhja është si vijon: Ne duhet të ulemi me SHBA-në dhe ta përgatisim draft-statutin e Republikës së Kosovës” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, tha Osmani më 27 shtator. As BE-ja, as Ambasada amerikane në Prishtinë nuk iu përgjigjën kërkesave të Radios Evropa e Lirë për ta komentuar këtë deklaratë. REL-i kërkoi nga Presidenca e Kosovës më shumë sqarime për të, por, ngjashëm, nuk mori përgjigje. Nga Qeveria e Kosovës thanë se, ashtu sikurse edhe në të kaluarën, e mirëpresin interesimin dhe përfshirjen në forma të ndryshme të SHBA-së në procesin e dialogut. “Por, gjithsesi i takon SHBA-së ta përcaktojë nivelin dhe formën e rolit dhe të përfshirjes në këtë proces”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, për REL-in. Sipas disa njohësve të zhvillimeve në Kosovë, propozimi i presidentes Osmani është “i zgjuar”. Për Asociacionin, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në vitin 2013 – në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve – por ajo nuk është zbatuar kurrë. Në vitin 2015, palët janë pajtuar për parimet e tij, por po atë vit Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se një pjesë e madhe e tyre janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Në Serbi insistojnë në kompetenca të gjera për Asociacionin, ndërsa në Kosovë thonë se të tillat do ta rrezikonin funksionalitetin e shtetit. Së voni, bashkësia ndërkombëtare ka rritur trysninë mbi Kosovën, duke i kërkuar që të mos vonohet më me formimin e Asociacionit. Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kritikuar ndërmjetësuesit evropianë të bisedimeve për anshmëri dhe ka thënë se Kosova nuk do të pranojë kushte për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, pa u zyrtarizuar njohja de facto e Kosovës nga Serbia. Propozim i zgjuar Edëard P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, thotë për REL-in se propozimi i presidentes Osmani që SHBA-ja ta udhëheqë dialogun, është “mjaft i zgjuar”. Sipas tij, Kosova po e shfrytëzon levën që i ka dhënë “sulmi katastrofik” në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë një polic.

Advertisement