Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | Terroristët në veri kërcënuan NATO-n

Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin e Uashingtonit, për siç tha, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën. “Ne po monitorojmë një dislokim të madh serb përgjatë kufirit me Kosovën që paraqet një pjesëmarrje të paprecedent të artilerisë serbe, tanke dhe njësi të këmbësorisë. Ne besojmë se ky është një zhvillim shumë destabilizues. Ne i bëjmë thirrje Serbisë që të tërheqë këto forca nga kufiri dhe të kontribuojë në uljen e tensioneve”, tha Kirby gjatë një bisede me gazetarë më 29 shtator. Kirby u pyet nëse ky grumbullim i trupave ushtarake pranë kufirit është sinjal se Serbia po përgatitet për ndonjë pushtim ushtarak. “Po e shikojmë, po e vëzhgojmë. Por, qëllimin [e grumbullimit të trupave ushtarake serbe] nuk mund ta them tani”, tha ai. Dislokimi i trupave serbe përgjatë kufirit me Kosovën vjen pas sulmit të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Për këtë sulm Kosova ka fajësuar Serbinë, por kjo e fundit ka mohuar çdo përfshirje. Zyrtari i lartë amerikan u pyet nga Radio Evropa e Lirë nëse SHBA-ja ka dijeni nëse Serbia dhe Rusia janë të përfshira në sulmin në Banjskë dhe për mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Beogradit.

Advertisement