Sport
Emri i Brojës del sërish në Milano, këtë herë e kërkon Inter
Në shtëpinë e Interit është koha për të bërë bilance. Dy pikët e lëna kundër Bologna-s konfirmuan edhe një herë se Simone Inzaghi ka nevojë për pak mbështetje, për ndonjë lojtarë më shumë në grup, pavarësisht se të gjithë shifrat janë më pozitive krahasuar me një vit më parë. 19 pikë në 8 javët e para, 7 më shumë se sa një vit më parë. Në të njëjtën periudhë kohe, Inter kishte pësuar 4 humbje. Inter ka shënuar këtë sezon 21 gola, sulmuesi më i mirë në Serie A, ka pësuar 5 gola, mbrojtja më e mirë në Serie A. Edhe në Champions situata është e njëjtë, 1 vit më parë Inter kishte 3 pikë në 2 ndeshje, këtë vit 4. Pavarësisht shifrave, Inzaghi ka nevojë për përforcime, të paktën nga një përforcim për çdo repart. Sipas mediave italiane, në lidhje me fazën ofensive, në skenë del edhe emri i Armando Brojës. Nuk është hera e parë që sulmuesi kuqezi lakohet për një transferim në Serie A. Me sa duket, situatën e Brojës po e ndjek nga pranë jo vetëm Milan, por dhe rivalët e tyre të përjetshëm, Inter. Gjithsesi, për momentin, çdo gjë është në fazën e sondazhit.