Politike
Shehu: Malltezin e tërhoqën zvarrë në aeroport, skenare të regjimit
Deputeti demokrat Tritan Shehu ka reaguar lidhur me akuzat e SPAK ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, i arrestuar në fundjavë nga forcat operacionale.
Shehu tha se ky është një skenar nga regjimi për të goditur PD dhe opozitën.
“Është e paimagjinueshme që kryetarit të opozitës t’i cenohet liria, pasi ai duhet të lëvizë për çështje politike. Këtu kemi të bëjmë me një skenar tipik të regjimit që bie ndesh me demokracinë. Është ngritur i tëri për të goditur, Berishën, PD-në dhe opozitën.
Është turp i botës masa e paraqitjes. Berisha nuk ka ndërmend të arratiset, do ishte qesharake të mendohet kjo, kryetari i opozitës nuk mund të pengohet të lëvizë të kryejë takime”, tha Shehu.
Duke komentuar arrestimin e Malltezit, teksa ndodhej në aeroportin “Nënë Tereza” për të pritur bashkëshorten e tij, Shehu tha se ai është tërhequr zvarrë në aeroport.
“Këto janë metoda tipike marksiste. Shkon tjetri arrestohet, tërhiqet zvarrë teksa priste gruan. Nuk e kam vetëm për këtë rast, por edhe në përgjithësi. Nuk ka nevojë të tërhiqet zvarrë, kur mund të ishte thërritur për t’u paraqitur. Janë veprime për ata që i kap në flagrancë, që paraqesin rrezikshmëri”, u shpreh Shehu.