Politike
‘Po e kalojnë buxhetin në mënyrë klandestine’, Berisha: Beteja e opozitës nuk ndalet
Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur për mediat pas përplasjeve që patën sërish ditën e sotme në Kryesinë e Kuvendit, mes mazhorancës dhe opozitës.
Berisha theksoi se mazhoranca po sillet si klandestine, dhe po merr vendime të papërgjegjshme dhe qesharake, ndërsa shtoi se opozita nuk do të ndalet.
“Kryetarja e Kuvendit krijoi një përpjekje e cila do të hetohet në mënyrë të hollësishme sepse mbylli derën në një kohë kur 6 prej tyre ishin në ashensor në kat të katërt dhe nga çdo lloj avarie mund të përfundonin në kat të parë. Është turp i madh dhe tregon se Parlamenti ka humbur çdo të drejtë së funksionuari. Tregon se Rama e ka shndërruar në një bunker, njësoj kur qeverisnin etërit e tij barbarë.
A mund të imagjinojnë shqiptarët se kanë kaluar në klandestinalitet buxhetin. Në vend të një diskutimi të hapur, takimi me grupet interesit, kaluan në një klub dhe aty po miratojnë buxhetin në mënyrën më të papërgjegjshme dhe qesharake.
Kanë vendosur pa punonjës të ministrisë së financave, online. Online do të thotë dy kondita; luftë ose pandemi. Por, këta nuk njohin as ligj as moral. Kjo ditë shënon rekorde më të zeza të parlamentarizmit. Opozita është në këmbë! Vetëm rikthimi i të drejtave kushtetuese, nuk ka asnjë negocim tjetër.
Opozita kalon çdo parashikim, nëse kalojnë në klandestinitet, në klube e mejhane. Beteja nuk ka të ndaluar”, tha Berisha.