Connect with us

Bota

Lirohet nga burgu reperi iranian që mbështeti protestat antiqeveritare

Një reper i njohur iranian është liruar me kusht pasi ka kaluar më shumë se një vit në burg për shkak të mbështetjes së protestave antiqeveritare që u nxitën nga vdekja e Mahsa Aminit.

Amini vdiq në paraburgim vitin e kaluar, pasi ishte ndaluar nga policia nën dyshimet për shkeljen e rregullave të hixhabit, apo shamisë së kokës.

Toomaj Salehi, 32 vjeç, postoi në X – që më herët njihej si Twitter – më 18 nëntor, duke treguar se ishte liruar po atë ditë nga Gjykata Supreme e shtetit, e cila kishte miratuar apelin e tij, pasi gjeti “të meta në dënimin fillestar” dhe urdhëroi lirimin e tij.

Gjykata e ka kthyer rastin në një gjykatë të shkallës më të ulët.

Salehi ishte dënuar me gjashtë vjet e tre muaj burg në korrik, nën akuza për “korrupsion të tokës”, që është një prej akuzave më të rënda në sistemin islamik të Iranit dhe personat që gjenden fajtor për të mund të dnohen edhe me dënim me vdekje.

Ai u lirua nga akuza për “ofendim të themeluesit të revolucionit islamik dhe udhëheqjes dhe komunikimit me qeveritë armiqësore”.

Pas një gjykimi me dyer të mbyllura, gjykata po ashtu urdhëroi që Salehit t’i ndalohet që të krijojë muzikë apo të performojë për dy vjet pas lirimit të tij.

Ai është arrestuar në tetor të vitit 2022 pasi bëri deklarata publike në mbështetje të protestave që kishin shpërthyer një muaj më herët. Protestat u nxitën pas vdekjes në paraburgim të 22-vjeçares Amini. Salehi e kaloi shumicën e kohës në izolim gjatë paraburgimit.

Autoritetet iraniane kanë thënë se protestat janë nxitur nga qeveri të huaja. Qindra persona janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë arrestuar gjatë shtypjes brutale të protestave nga autoritetet iraniane.

Salehi u akuzua për “shpërndarje të gënjeshtrave” në internet dhe për publikim “të propagandës kundër shtetit”.

Salehi u bë i njohur për tekstet e këngëve të tij kundër korrupsionit, për varfërinë, dënimet me vdekje që aplikohen në Iran dhe për vrasjen e protestuesve në Iran. Në tekstet e tij ai ka akuzuar autoritetet se po “ngufasin” popullin dhe që po shpërfillin mirëqenien e qytetarëve./REL

Advertisement