Kosova
Deputeti gjerman: Vuçiç mos gënje e mos mashtro, por bashkëpuno

“Mosgatishmëria e Serbisë për të bashkëpunuar me autoritetet e Kosovës për hetimin e sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023 nga paraushtarakët serbë dhe në vend të kësaj të lavdërojë autorët, është krejtësisht e papranueshme” – Kështu është shprehur deputeti i Bundestagut gjerman nga CDU-ja, Knut Abraham.
Ai tha se Qeveria gjermane duhet t’i kërkojë Serbisë shumë më fort që të bashkëpunojë plotësisht me hetimin dhe të ekstradojë në Kosovë Radoiçiçin
“Për më tepër, përhapja e gënjeshtrave për gjoja ‘spastrim etnik’ dhe ‘pogrome’ në Kosovë, për të cilat nuk ka prova, duhet të përfundojë”, theksoi Abraham dhe theksoi se masat negative të BE-së ndaj Kosovës duhet të hiqen menjëherë sepse “nuk ka asnjë arsye për të mos e bërë këtë”.
Abraham deklaroi se ndryshe nga presidenti serb Aleksandar Vuçic, “Kosova ka deklaruar vazhdimisht gatishmërinë e saj jo vetëm për të nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin, por edhe për ta zbatuar plotësisht atë”.
Deputeti gjerman tha se për të siguruar paqe afatgjatë në rajon, të drejtat e të gjithë qytetarëve, veçanërisht të pakicës serbe, duhet të forcohen brenda kornizës së Kushtetutës së Kosovës dhe theksoi po ashtu se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim.
Abraham tha se “perspektiva e BE-së” për Republikën e Kosovës aktualisht është një premtim bosh dhe sipas tij, BE-ja dhe qeveria gjermane, prej një viti kanë injoruar kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE të dorëzuar më 15 dhjetor 2022.
“Nëse qeveria gjermane dhe BE-ja janë serioze, duhet t’u ofrojnë të gjitha vendeve në rajon perspektivën e anëtarësimit në tregun e përbashkët të BE-së sapo të plotësohen të gjitha kushtet. Kjo mund të ndodhë brenda pak vitesh dhe t’i shpërblejë vendet me prirje reformash me një hap të ndërmjetëm tërheqës në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE”, potencoi deputeti i Bundestagut gjerman, Knut Abraham.

