Kosova
SHBA lëshon ultimatum për Serbinë dhe Vuçiçin
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin nga qeveria e ardhshme e Serbisë, e cila do të dalë nga zgjedhjet e 17 dhjetorit, të vazhdojë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, si dhe rrugën drejt integrimit evropian” – Keshtu deklaroi ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.
“Populli serb të votojë si të dojë. Ne presim që qeveria t’i përmbahet marrëveshjes që ka bërë në lidhje me Kosovën” – tha O’Brien në një intervistë për Zërin e Amerikës duke shtuar se “në muajt e fundit është shënuar progres për çështjen e Kosovës” dhe se “disa nga çështjet kryesore kontestuese kanë filluar të zgjidhen, si targat, doganat…”.
Zyrtari amerikan tha se duhet bërë progres i mëtejshëm dhe vuri në dukje se e ardhmja e Ballkanit qëndron në tregun e përbashkët evropian dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Për t’u bashkuar në tregun e përbashkët evropian, të dyja palët duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre, të njohin kufijtë dhe të pajtohen për bashkëpunim. Ne presim që ata të punojnë përsëri – duke filluar me angazhimet që ata kanë bërë”- tha O’Brien.
Teksa ka folur për vazhdimin e negociatave për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, O’Brien deklaroi se SHBA-ja pret ulje të tensioneve në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
“Është një zonë ku forcat e KFOR-it, NATO-s janë forcuar. Dhe, misioni evropian, EULEX, gjithashtu ka qenë shumë aktiv kohën e fundit. Prandaj, asnjëra palë nuk ka arsye të shkaktojë tensione atje dhe ajo zonë duhet të qëndrojë e qetë”, tha O’Brien
Kthimi i serbëve në institucionet publike është një nga hapat që ai përmendi për uljen e tensioneve.
O’Brien tha gjithashtu se SHBA do të vazhdojë të theksojë se sa e rëndësishme është “përfundimi i kësaj pune në muajt e ardhshëm”. “Ekonomitë e tyre tashmë janë të lidhura me Bashkimin Evropian dhe tani ata duhet të zbatojnë reforma dhe të angazhohen për të qenë pjesë e atij komuniteti. Dhe derisa e bëjnë këtë, unë mendoj se tensionet do të ulen dhe ata do të kenë një marrëdhënie më të madhe me njeri tjetrin” – tha ndihmëssekretari amerikan i Shtetit.