Bota
SHBA lëshon akuzën: Një cisternë u godit në brigjet e Indisë me dron nga Irani
Një cisternë kimike u godit nga një dron i nisur nga Irani në Oqeanin Indian të shtunën. Kështu deklaron ushtria amerikane. Pentagoni tha se anija Chem Pluto u godit “200 milje detare (370 km) nga brigjet e Indisë” në orën 10:00 me kohën lokale (06:00 GMT). Zjarri në bordin e anijes është shuar, ndërkohë që nuk raportohet për viktima.
Irani nuk ka komentuar ngjarjen në fjalë. Kohët e fundit ka pasur një seri sulmesh me dronë dhe raketa mbi anijet në Detin e Kuq nga rebelët Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen. Komanda Qendrore e SHBA (CENTCOM) tha se të shtunën; “dy raketa balistike u gjuajtën në korsitë ndërkombëtare të anijeve në Detin e Kuq Jugor nga zonat e kontrolluara nga Houthi të Jemenit. Asnjë anije nuk raportohet të jetë prekur nga raketa balistike”.
Komanda tha gjithashtu se anija luftarake USS Laboon që patrullonte zonën “rrëzoi katër dronë ajror pa pilot me origjinë nga zonat e kontrolluara nga Houthi në Jemen, që ishin në hyrje” në anijen amerikane. Më vonë atë ditë, një cisternë e naftës së papërpunuar raportoi se ishte goditur nga një dron Houthi në jug të Detit të Kuq.
Rebelët, të cilët kontrollojnë pjesën më të madhe të Jemenit, pretendojnë se synojnë anijet e lidhura me Izraelin dhe luftën e vazhdueshme në Gaza. Shumë grupe të mëdha globale të anijeve kanë pezulluar operacionet në Detin e Kuq për shkak të rritjes së rrezikut të sulmeve.