Connect with us

Aktualitet

Gracka dhe rreziqe të mëdha/ Vuçiç për pranimin e automjeteve me targa të Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se me vendimin për të lejuar lëvizjen e lirë të automjeteve me targa të Kosovës, RKS, nëpër Serbinë qendrore, qeveria e tij ka shmangur “grackat dhe rreziqet e mëdha” për vendin.

Vuçiç tha se vendimi i Qeverisë së tij, i cili hyri në fuqi më 1 janar, do të jetë në dobi të popullit serb dhe të Serbisë në tërësi.

“Interesi ynë është Ballkani i Hapur dhe liria e lëvizjes, e cila vlen edhe për automjetet. Mendoj se nga ky vendim do të përfitojnë populli serb dhe Serbia në tërësi. Me këtë dhe disa gjëra të tjera kemi shmangur grackat dhe rreziqet e mëdha për Serbisë” – deklaroi presidenti serb.

Presidenti serb gjithashtu u shpreh se pret presionin më të madh për çështjen e Kosovës në muajt janar dhe shkurt dhe theksoi se ky do të jetë kulmi i fushatës rreth zgjedhjeve parlamentare evropiane.

Më 25 dhjetor, Qeveria e Serbisë njoftoi se mori vendim për t’ua mundësuar lëvizjen e lirë të gjitha automjeteve nga Kosova në territorin e Serbisë nga muaji i ardhshëm.

Për një gjë të tillë, Serbia ishte pajtuar me marrëveshjen e vitit 2011, të arritur mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Vendimi i Beogradit u mirëprit nga Bashkimi Evropian, i cili e cilësoi atë si hap pozitiv drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkohë, gjatë adresimit të tij te fundvitit, Vuçiç tha se pret që Serbia të përballet me “presione të mëdha” nga Bashkimi Evropian për Kosovën gjatë dy muajve të parë të vitit 2024.

Advertisement